
Mirëmbajtja e tunelit të Llogarasë, ARRSH hap tenderin për mbikëqyrjen
ARRSH ka çelur këtë javë garën për procedurën që ka në objekt mbikëqyrjen e procesit të mirëmbajtjes së Tunelit të Llogarasë me një fond limit 116 mijë euro.
Në dokumentet e procedurës ARRSH specifikon se kjo kontratë është e lidhur me një tjetër konkretisht ajo “Mirëmbajtja e pajisjeve dhe operimi i tunelit të Llogorasë” . Kjo e fundit u çel në mars si garë dhe parashikonte një fond limit 311 milionë lekë apo 3.1 milionë euro.
“Projekti i Tunelit të Llogarasë që është pjesë e rrugës Orikum – Himarë, Loti II, është një projekt transformues për zhvillimin e infrastrukturës me impakt në ekonominë dhe turizmin e vendit në bregdetin e Jugut.
Ky projekt do të ndihmojë në : -lehtësimin e trafikut ndërmjet qyteteve dhe fshatrave bregdetare që shtrihen në bregdetin jugor. -reduktimin e kohës së udhëtimit, -reduktimin e numrit të aksidenteve -përmirësimin e sigurisë rrugore, duke evituar kështu kalimin nga Qafa e Llogarasë, e cila evidentohet si një rrugë mjaft e vështirë në një terren malor sidomos në periudhën e dimrit” thuhet në dokumentet e ARRSH.
Loti.II i rrugës Orikum – Himarë, në të cilin ndodhet Tuneli i Llogarasë, fillon 500 m në veri-perëndim të urës së Shën Elizës në segmentin rrugor Dukat – Llogara dhe përfundon 1.3 km në perëndim të urës së Palasës. Gjatësia totale e itinerarit është 7.42 km.
“Pjesa më e rëndësishme e kësaj vepre janë Tuneli Kryesor dhe ai i emergjencës. Tuneli Kryesor ka një gjatësi prej 5.99 km duke marrë në konsideratë portalet, krahas të cilit në një largësi aksiale 40 m shtrihet Tuneli i Emergjencës me gjatësi 6 km, që aktualisht është në fazë ndërtimi.
Qendra e Kontrollit që monitoron operimin e sistemeve të ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës, pozicionohet në portalin verior të tunelit. Përgjatë tunelit ka 11 kalime lidhëse tërthore me tunelin e emergjencës, ku 5 janë për automjete dhe 6 për këmbësorët.
Këto kalime lidhëse tërthore janë të shoqëruara me vendqëndrime për mjetet çdo 1 km në secilën anë, pra 6 në sensin e lëvizjes Orikum – Himarë dhe 5 në sensin e lëvizjes Himarë – Orikum” thuhet në dokument.
Ky segment rrugor sipas ARRSH aktualisht ka përfunduar fazën e ndërtimit në 15 Dhjetor/2024 dhe aktualisht është në periudhën e Garancisë së Difekteve e cila zgjat 2 (dy) vjet, dmth deri 15 Dhjetor/2026.
Me përfundimin e periudhës së Garacisë së Difekteve të këtij objekti, Kontraktori aktual do të dorëzojë tek Punëdhënësi të gjithë setin e plotë të inventarit të pajisjeve elektro-mekanike, aparaturave, manualet përkatëse, etj.
Mbikëqyrësi i mirëmbajtjes së tunelit (përfaqësues i Punëdhënësit) do të asistojë/monitorojë procesin e marrjes në dorëzim të këtij inventari nga Kontraktori i Mirëmbajtjes/Monitorimit të Tunelit, i cili do të jetë pjesë integrale e pajisjeve dhe makinerive të tunelit në vazhdimësi./Monitor(https://monitor.al/mirembajtja-e-tunelit-te-llogarase-arrsh-hap-tenderin-per-mbikeqyrjen/)
Më të lexuarat








