Rama: AI në administrimin tatimor, eliminohet nevoja për inspektorët fizikë
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria po punon për të integruar Inteligjencën Artificiale (AI) në procesin e fiskalizimit.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria po punon me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSH) dhe Ministrinë e Financave për të integruar Inteligjencën Artificiale (AI) në procesin e fiskalizimit.
Sipas tij, në një fazë të avancuar, inspektimet tatimore do të realizohen nga AI, duke eliminuar nevojën për inspektorët fizikë në terren.
Teknologjia do të analizojë të dhënat e fiskalizimit dhe do të identifikojë anomalitë, duke paralajmëruar bizneset përpara se të ndërmerren masa ndëshkuese. Rama theksoi se ky sistem i ri do të çojë administrimin tatimor në një nivel më të avancuar dhe më efikas.
“Po punojmë me AKSH-in dhe ministrinë e Financave për një proces të avancuar në administrimin e të ardhurave ku fiskalizimi do t’i mbivendoset Inteligjenca Artificiale. Jemi në një fazë të avancuar, aty do të jemi të çliruar nga stresi, nuk do të ketë më nevojë për të çuar askënd në terren pasi inspektimi do të kryhet nga AI.
Inspektorët do të jenë të fokusuar në ekrane dhe do t’ju ndjekin përmes të dhënave nga fiskalizimi. Do të merren dhe përpunohen nga syri i AI që kur sheh anomali sinjalizon. Ky sinjalizon i shkon biznesit dhe e paralajmëron përpara se të vij gjoba. Do ta çojmë në nivel tjetër administrimin tatimor”, tha ai. /Ballkan Web