
Dështon për të gjashtën herë konstitutimi i Kuvendit të Kosovës
Edhe sot, Albulena Haxhiu nuk ka marrë votat e nevojshme për kryetare të Kuvendit.
Ajo ka pasur 57 vota. 47 vota kundër, dhe 3 abstenime. Nisma sërish ka abstenuar. Seanca është shtyrë për të dielën në ora 10:00.Ka dështuar për të gjashtën herë konstitutimi i Kuvendit të Kosovës.
Për të katërtën herë kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare nuk ka arritur që të sigurojë më shumë se 57 vota.
Emri i saj është hedhur në votim pas propozimit që ka bërë deputeti Glauk Konjufca.
“Emri ynë i vetëm është Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit të Kosovës, ju kërkoj mirëkuptimin tuaj që ta zhbllokojmë situatën në të cilën kemi mbetur”, është shprehur Konjufca para procesit të votimit.
Kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu seancën, duke treguar se do të mblidhen serish.
“Detyrohemi ta ndërpresim seancën. 27 prill sërish në ora 10:00. Shihemi përsëri”.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar se Lëvizja Vetëvendosje qëllimshëm nuk dëshiron ta zhbllokojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës pasi që nuk po ndryshon propozimin për postin e kryeparlamentarit.
“Një gjë është e qartë, Albulena Haxhiu nuk kalon. Sikur të donin zgjidhje, kanë pasur mundësi edhe sot, edhe pardje, edhe para katër ditësh. të njëjtën mundësi e kanë edhe pasnesër: Ta ndërrojnë deputetin”.
Ai tha se kjo po bëhet pasi LVV-ja nuk i ka votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë e re.
“Kjo vërtetë tashmë është komplet e pakuptimtë, e turpshme, që për teket e një personi, një kandidati, të mbahet peng shteti”, tha Krasniqi.
Ai tha se nëse Kuvendi nuk konstituohet, zgjidhja do të ishte të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme në maj të këtij viti. Krasniqi shtoi se përveç Haxhiut, ka edhe emra të tjera nga LVV-ja që PDK-ja nuk do i votonte për postin e kryeparlamentarit, por nuk pranoi të emëronte ata.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se partia e tij nuk do të heqë dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, pavarësisht mungesës së votave dhe kundërshtimeve.
“Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve që sapo janë certifikuar nga KQZ-ja, e ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit, dhe këtë të drejtë e ka shfrytëzuar duke propozuar zonjën Albulena Haxhiun”, tha ai.
Ai tha se kundërshtimet ndaj kandidaturës së Haxhiut “janë më shumë taktika sesa ndonjë arsye konkrete”.
Murati u bëri thirrje partive të tjera parlamentare të reflektojnë.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e ka përsëritur se partia e tij nuk do të votojë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Sigurisht që do të votojmë kundër. Lëvizja Vetëvendosje e ka sjellë vendin në këtë situatë duke u sjellë sikur një parti e cila e ka fituar e vetme vullnetin e qytetarëve të Kosovës”.
I pyetur nëse LDK-ja ka vullnet për kandidat konsensual, ai tha se “nuk mund të ketë kandidat konsensual derisa arroganca dhe mënyra sesi bën politikë [Vetëvendosje] ose si tenton kapjen e institucioneve… konsensuesi për ndonjë emër të përveç është i pamundur”.
Kreu i Nismës Fatmir Limaj ka folur shkurt pasi kandidatja e VV-së për kryetare të Parlamentit dështoi të marrë votat që i duhen për kryetare të parlamentit.
“S’kemi marrëveshje. Siç e dini këto punë bëhen me marrëveshje. Ne s’kemi marrëveshje me askënd” ka thënë Limaj.
Albulena Haxhiu dështoi të emërohej në tri tentimet e kaluara, pasi secilën herë i mori vetëm 57 vota nga 61 të nevojshme.
Seanca konstituive, sipas rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Në rast se Kuvendi konstituohet, atëherë do të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re./Monitor(https://monitor.al/deshton-per-te-gjashten-here-konstitutimi-i-kuvendit-te-kosoves/)
Më të lexuarat








