Parku i Besimit, shtyhen aplikimet e fazës së parë deri në 12 Maj
Aplikimet për fazën e parë të propozimeve për “Faith Park-Parku i Besimit” zgjaten deri më 12 maj 2025, ora 15.00, ndërsa afati për fazën e dytë do të jetë 3 shtator 2025.
Në fazën e parë aplikantët do të paraqesin projektidenë (Masterplanin). Më parë kriteret parashikonin se vetëm 5 skuadra mund të paraqesnin aplikimet e tyre.
Sipas njoftimit të Agjencisë Kombëtare të Zhvillimit të Territorit ky kufizim është hequr. Të gjitha skuadrat që marrin 75 pikë sipas kritereve të tenderit do të kualifikohen për fazën e dytë. Megjithatë në fazën e dytë do të kualifikohen vetëm 5.
Kjo do inkurajojë pjesëmarrje më të gjerë dhe më cilësore, thuhet në njoftim. Po kështu çmimi mbetet i pandryshueshëm, 5 çmime me 40, 000 Euro secila.
Ky konkurs ndërkombëtar për projektimin e masterplanit aspiron të mishërojë vlera, duke synuar gjenerimin e një koncepti të ri të “bashkësisë” dhe “strehimit”.
Parku do të ofrojë hapësira për pushim dhe ndërveprim për grupe, kombësi dhe besime të ndryshme, dhe do të shërbejë si një vend për ngjarje që festojnë këto komunitete. Nëpërmjet theksit mbi bashkëjetesën, ky projekt do të krijojë një dinamikë të re hapësinore në kryeqytet, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe shpirtin qytetar, dhe duke festuar paqen, qëndrueshmërinë dhe unitetin e popullit shqiptar, në të gjitha besimet e tij.
Sipërfaqja ku do ndërtohet “Parku i Besimit” është 210 mijë metër katrorë buzë luginës së Erzenit. Projekti duhet të ideohet për të pritur 30 mijë vizitorësh në vit, si dhe brenda tij do të ketë struktura që do të shërbejnë për evente të vogla por edhe për ngjarje me kapacitet deri 500 persona.
Çdo gjë e ndërtuar brenda këtij parku do të jetë me simbolet e secilit besim./ekofin.al