
Porti i ri Tregtar në Porto Romano, kompania s’pagoi tarifën, KPP nuk pranon ankesën
Ankimimi për tenderin e Portit të Ri Tregtar në Porto Romano u rrëzua nga Komisioni i Prokurimit Publik, pasi kompania nuk pagoi tarifën përkatëse.
Ankimimi për një prej tenderëve me koston më të lartë siç është ai për Portin e Ri Tregtar në Porto Romano u rrëzua nga Komisioni i Prokurimit Publik për shkak se kompania nuk pagoi tarifën respektive që aplikohet në këto raste.
Në një vendim të dhënë pak ditë më parë KPP detajon ecurinë nga faza e prokurimit të kontratës “Porti i Ri Tregtar i Integruar i Durrësit në Porto Romano Faza 1 me fond limit 399 milionë euro” deri tek rrëzimi i ankesës. Konkretisht një nga pesë kompanitë pjesëmarrëse në procedurën në fjalë dhe e s’kualifikuar, Jan De Nul nv ka pretenduar se s’kualifikimi nuk ka qenë i drejtë.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave kishte argumentuar se nuk kishte arritur të gjente në dokumentat e kompanisë një vërtetim specifik.
“Arsyet e s’kualifikimit janë mosgjetja, në dokumentacionin e paraqitur, të vërtetimit të punimeve të kryera për projektin “NRL – Echangeur & Digues; La Nouvelle Route du Littoral – La Réunion” ku të specifikohet përqindja e pjesëmarrjes në projekt të secilit pjesëmarrës, duke qenë se, projekti është realizuar nga një Joint Venture (J.V.). Gjithashtu, autoriteti njofton se Komisioni për Vlerësimin e Ofertave (KVO) nuk ka gjetur në dokumentacion, formularin e vlerësimit ose aktin e kolaudimit dhe/ose çertifikatën e marrjes në dorëzim” do të argumentonte Komisioni.
Pas kësaj bashkimi i operatorëve ekonomikë përfaqësuar nga Jan De Nul nv ka paraqitur ankesë në KPP por nuk ka bërë pagesën që duhet të kryhet për çdo rast në llogari të KPP-së.
Pas disa ditësh kërkesash e koordinimesh me financën apo degën e thesarit dhe bankat ka rezultuar se pagesa nuk është kryer.
“Ankesa bëhet sipas formularit përkatës, ku shënohen emri dhe adresa e ankuesit, referimi për procedurën konkrete dhe bazën ligjore, ku ankuesi pretendon për shkeljet, pagesa e tarifës së ankesës, duke e shoqëruar atë me dokumentacionin dhe provat përkatëse, për të cilat mendon se mbështesin ankimin e tij. Elementet e sipërpërmendura janë të domosdoshme për shqyrtimin e ankesës. Ankimuesi është i detyruar t’i bashkëlidhë ankimit dokumentin bankar që vërteton pagesën e tarifës përkatëse për ankesën”citon KPP ligjin e prokurimeve duke nënvizuar se kryerja e pagesës është kusht i nevojshëm për tu marrë në shqyrtim ankimimi.
PP citon që konstatohet se ankimuesi nuk ka paguar tarifën financiare të ankesës në përputhje më përcaktimet e pikës 2 të nenit 111 të ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, duke mos plotësuar kështu një prej elementeve të domosdoshme për shqyrtimin e ankesës.
Në finale ka vendosur të mos pranojë ankesën dhe të lejojë Autoritetin Portual të vijojë me procedurën në fjalë.
Tenderi për portin
Në tenderin për Portin e ri Tregtar të Integruar në Porto Romano morën pjesë pesë kompani.
1.Archirodon Construction (Overseas) Company Limited I Kualifikuar
2.China Communications Construction Company ÇÇ I Skualifikuar
3.Van Oord Dredging and Marine Contractors B.V. I Kualifikuar
4.Webuild S.p.A. I Skualifikuar
5.Jan De Nul nv I Skualifikuar
Kjo ishte procedura e dytë e tenderimit pas dështimit të një procedure të mëparshme.
Nevoja për një port të ri tregtar erdhi pas një marrëveshjeje për shndërrimin e portit aktual në një projekt marine dhe rezidenciale me kompaninë e investitorit nga Emiratet Mohamed Alabbar. Projekti në fjalë Durrës Yacht Marina ka nisur zbatimin tashmë prej disa kohësh duke zhvilluar paraprakisht shitjet në formë ankandi për ndërtime ende të panisura.
Zhvendosja e aktivitetit të portit të Durrësit në një tjetër terren bëri që qeveria të vendoste për zhvillimin e tij në Porto Romano. Mes dy alternativave për zhvillimin e Portit të ri është zgjedhur modeli C2. Ky model parashikon një port që zhvillohet në breg dhe jo variantin C1 që parashikon zhvillimin në det.
Në fund të vitit 2022 gjatë prezantimit të projektit u nënvizua se projekti ka një kosto të konsiderueshme ndaj do të kërkojë angazhimin e fondeve buxhetore, fondeve të Autoritetit Portual, grante por edhe sektorin privat duke lënë kështu të hapur mundësinë e PPP. Të paktën 46% e financimit do të sigurohet nga qeveria dhe 54% nga sektori privat./Monitor(https://monitor.al/porti-i-ri-tregtar-ne-porto-romano-kompania-spagoi-tarifen-kpp-nuk-pranon-ankesen/)
Më të lexuarat









