
Sistemi i fiskalizimit, hapet tenderi 770 milionë lekë për mirëmbajtjen
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit hapi këtë të martë tenderin për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në lidhje me sistemin e fiskalizimit.
Fondi limit për këtë procedurë është 770 milionë lekë, ose rreth 7.7 milionë euro, dhe shërbimi do të ofrohet për një periudhë prej 24 muajsh.
Sipas dokumenteve që shoqërojnë procedurën, qëllimi kryesor i këtij projekti është mirëmbajtja e sistemit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit (sistemi i fiskalizimit) për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
“Qëllimi është garantimi i funksionimit të plotë të sistemit elektronik, në të gjithë komponentët e tij: softuer dhe pajisje fizike (hardware). Ky sistem është i hostuar në Qendrën e të Dhënave Qeveritare, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), dhe ofron shërbime për rreth 125 mijë tatimpagues, si dhe për vetë administratën tatimore”, thuhet në dokumente.
Në dokumentacion theksohet se disponueshmëria e sistemit të fiskalizimit është shumë e rëndësishme. Shërbimi i fiskalizimit dhe portali i tatimpaguesve (SelfCare) nuk mund të pësojnë ndërprerje për më shumë se disa minuta dhe nuk tolerohen ndërprerje të planifikuara për qëllime përditësimi (upgrade, update) apo modifikime të tjera.
“Shërbimet e ofruara për tatimpaguesit (fiskalizimi, verifikimi i faturave, pranimi/refuzimi i tyre, etj.), si dhe për administratën tatimore, duhet të jenë funksionale 24 orë në ditë, 7 ditë në javë,” theksohet më tej.
Aktualisht, ky sistem përdoret nga bizneset dhe qytetarët, ndërsa në përdorim të brendshëm është i aksesueshëm nga administrata tatimore dhe institucione të tjera publike të autorizuara. Dokumentet e tenderit përshkruajnë detajisht kërkesat dhe përgjegjësitë për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit.
Disa prej tyre janë:
- Monitorimi i rregullt i roleve dhe aktiviteteve të përdoruesve të sistemit dhe përpilimi i raporteve përkatëse.
- Vlerësimi i raporteve të monitorimit dhe përpilimi i sugjerimeve për përmirësimin e infrastrukturës.
- Izolimi dhe diagnostikimi i çdo problemi që ndikon sistemin, analizimi i shpeshtësisë së defekteve (bug-eve) dhe ofrimi i zgjidhjeve të detajuara.
- Garancia për suport në rast se ndonjë faktor i brendshëm apo i jashtëm ndikon në funksionimin e sistemit.
- Riparimi i defekteve, kontrolli i funksionaliteteve, si dhe analiza e log-eve të sistemit.
- Ndërhyrjet duhet të kryhen vetëm pas miratimit të një plani të detajuar dhe brenda kohës së përcaktuar.
- Operatori ekonomik duhet të ofrojë suport të vazhdueshëm dhe gatishmëri 24/7 për Modulin e Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit.
- Po ashtu, kontraktori duhet të marrë masa për zëvendësimin e pajisjeve hardware që dalin jashtë funksioni, në rast se nuk janë të riparueshme.
Një tjetër detyrim është kryerja e testimit për rikuperimin e të dhënave (“restore full backup”) çdo muaj (nga data 1 deri më 10), duke përdorur kopjen rezervë të fundit të muajit pararendës. Rezultatet e testit duhet të dokumentohen në një raport të veçantë.
/Monitor (https://monitor.al/mirembajtja-e-fiskalizimit-hapet-tenderi-7-7-milione-euro/)
Më të lexuarat









