Secondary Adv

Dështon për herë të tetë radhazi konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të konstituohet edhe në përpjekjen e tetë.

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare këtë herë ka marrë 54 vota për. Për shkak të moskonstituimit Kuvendi do të mblidhet edhe të enjten.

 

Për të tetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca konstituive do të vazhdojë të enjten, në ora 10:00.

 

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për të gjashtë herë nuk mori mbështetjen për postin e kryeparlamentares.

 

Kësaj radhe, ajo mori 54 vota për, 44 kundër dhe 3 abstenuan. Në seancat paraprake, për të kishin votuar 57 deputetë – por kësaj radhe disa deputetë të LVV-së munguan.

 

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe në shtatë seancat paraprake deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – por, kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ.

 

Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, është deklaruar për media pas dështimit të radhës së konstituimit të Kuvendit, duke kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, e duke thënë se parlamenti është shndërruar në cirk.

 

Ajo, situatën e krijuar e ka cilësuar si pengmarrje e institucioneve nga VV-ja, dhe duke deklaruar se kjo është duke i kushtuar qytetarëve të vendit.

 

‘‘Kuvendi me insistimin për kandidaturën e njëanshme është shndërruar tanimë në një cirk. Është era e gjashtë qël Haxhiu morri, kësaj radhe vetëm 54 vota dhe ata insistojnë në këtë kandidaturë . LDK është për një zgjedhje, për të gjetur një zgjedhje kushtetuese. Peng marrja e institucioneve nga VV-ja është duke i kushtuar qytetarëve të Kosovës, ata po përballen me probleme të ndryshme dhe askush to nuk po i adreson. Edhe njëherë po them që na vjen keq, që në bazë të rezultati dhe vullnetit tonë jemi pjesë e kuvendit të Kosovës, mirëpo pa dashje jemi pjesë e këtij teatri që tashmë po besoj që është bërë mjaft për secilin qytetarë të Kosovës”.

 

Kurse, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ndien keqardhje për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës ku edhe sot dështoi të zgjidhet kryeparlamentare e propozuara e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

 

“Shpreh keqardhjen për këtë tallje që po bëhet nga ana e partisë së parë e cila edhe sot për tetën herë sillet me mentalitetin e njëjtë.  Demokracia funksionon me shumicë, jo me imponim. Institucionet janë të popullit, nuk janë të asnjë partie politikë të veçantë. Duhet ta kuptojnë të gjithë që koha e sundimit njëpartiak dhe e monizmit ka përfunduar. Sa më parë që t’i kuptojë Lëvizja Vetëvendosje këto tri çështje aq më mirë për vendin”.

 

Krasniqi tha se është e tepërt “që të sillemi këtu çdo dy ditë duke pritur që t’i thirrin arsyes dhe të propozojnë një kandidat apo kandidate që merr shumicën e deputetëve të Kosovës”.

 

“Po e përsëris: Po i takon Vetëvendosjes të propozojë, por s’mund t’i kërkojë votat me zor. Ky mentalitetit i imponimit dhe i preisonit e nënshtrimit duhet të marrë fund. Në emër të PDK-së shpreh keqardhjen më të madhe në drejtim të qytetarëve për këtë situatë dhe tallje që  po e bën me të gjithë si partia që me qëllim po e mban të bllokuar Kuvendin e Kosovës”.

 

Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kompromisi që kjo parti ka ofruar për konstituim ka qenë që emri i Albulena Haxhiut si propozim për kryeparlamentare të përfshihet në pako me emrat e propozuar nga partitë opozitare për nënkryetarë të Kuvendit.

 

“Ajo që kemi ofruar si kompromis është dakordim politik që të tri partitë më të mëdha që u takon të propozojnë kandidatë për nënkryetarë, pos partive parlamentare të komuniteteve joshumicë, të mblidhen të dakordohen dhe në paketë të përfshihen emri i kryetares Albulena Haxhiu dhe i nënkryetarëve që të vazhdohet tutje”.

 

Pas seancës, Murati ka thënë se ka deputetë nga opozita që kanë shprehur gatishmëri për ta votuar Haxhiun, megjithatë sipas tij kjo e drejtë po u ndalohet nga partitë.

 

Albulena Haxhiu dështoi të emërohej edhe në tentimet e kaluara, pasi secilën herë i mori vetëm 57 vota nga 61 të nevojshme.

 

Seanca konstituive, sipas rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre e kryetarit dhe nënkryetarëve.

 

Në rast se Kuvendi konstituohet, atëherë do të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.

 

LVV-ja i ka fituar zgjedhjet me 42 për qind të votave, apo 48 ulëse në Kuvend. Por, edhe për formimin e Qeverisë asaj i duhen të paktën 61 vota të deputetëve. Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

 

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

 

/Monitor (https://monitor.al/deshton-per-here-te-tete-konstituimi-i-kuvendit-te-kosoves/)


Më të lexuarat