Secondary Adv

Shqipëri-Kosovë pa kontrolle në kufi, duke nisur nga 1 maji

Marrëveshja për lëvizjen e lirë mes pikave kufitare të Vërmicës dhe Morinës do të rikthehet në funksion nga 1 maji, pasi funksioni i saj ishte pezulluar nga 1 marsi.

Nga data 1 maj, rikthehet marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila parashikon lehtësimin e procedurave kufitare për veturat me targa të të dy shteteve.

 

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, nuk do të kryhen kontrolle kufitare, duke mundësuar lëvizje të shpejtë dhe të pakufizuar.

 

Marrëveshja e lëvizjes së lirë e nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë shmangu trafikun dhe lehtësoi lëvizjen kufitare gjatë sezonit veror.

 

Edhe këtë sezon, lehtësimi i procedurave do të zbatohet gjatë nëntë muajve të vitit, konkretisht nga 1 maji deri më 30 shtator, dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt të vitit pasardhës.

 

Ndërkohë, udhëtarët që kalojnë kufirin përmes pikave të përbashkëta Shqipëri-Kosovë, deri të mërkurën në orën 24 janë të obliguar t`i paraqesin dokumentet e identifikimit, për shkak të nevojës për përpunimin dhe regjistrimin e saktë të të dhënave të automjeteve.

 

Për të përballuar fluksin e shtuar të udhëtarëve, autoritetet kufitare në të dyja vendet kanë angazhuar të gjitha sportelet në dispozicion, me qëllim që të shmangin pritjet e gjata dhe të garantojnë kalim sa më të shpejtë dhe efikas.

 

Në ditët e fundit është vërejtur rritje e ndjeshme e qarkullimit në të dyja anët e kufirit. Sipas të dhënave nga Dogana e Morinës, gjatë tre ditëve të të fundit në territorin e Shqipërisë kanë hyrë rreth 10 mijë shtetas më së shumti të Kosovës dhe 6 mijë mjete, ndërsa në dalje janë regjistruar 4 mijë shtetas të Shqipërisë dhe rreth 2 mijë mjete.

 

Në mars të vitit 2025 ishin rikthyer kontrollet kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, për shkak se ishte e nevojshme të bëhej përpunimi i të dhënave të drejtuesve të automjeteve dhe udhëtarëve me procedurë të përshpejtuar.

 

Kjo masë synonte edhe shmangien e radhëve dhe pritjeve, për shkak të fluksit të lartë të mjeteve dhe udhëtarëve, nisur edhe nga përmirësimi i kushteve të motit.

 

Ndërkohë, gjatë fundjavave dhe festave zyrtare, lëvizja realizohej pa kontrolle për automjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës.

 

Marrëveshja për lëvizjen e lirë, e nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë në pranverën e vitit 2024, kishte për qëllim shmangien e trafikut dhe lehtësimin e lëvizjes kufitare gjatë sezonit veror. /Monitor( https://monitor.al/nga-1-maji-largohen-kontrollet-ne-kufirin-kosove-shqiperi/)


Më të lexuarat