Aeroporti i Vlorës nis testimin në 8 maj, brenda 2 muajsh synohet përmbyllja e certifikimeve
Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku inspektoi punimet në kantierin e aeroportit të Vlorës.
Balluku tha se po punohet me tre turne për të plotësuar afatet e përfundimit të aeroportit ndërkombëtar të Vlorës.
“Duket kulla e përfunduar, por ka akoma skela edhe terminale duket disi i përfunduar, por duhet të dimë që po flasim për një sipërfaqe tepër të madhe. Gëlon ky kantier, këtu punohet dhe me tre turne. Nuk është një kantier dosido, është pista e në aeroporti ndërkombëtar. Puna që bëhet këtu është një punë që kërkon shumë kujdes dhe që duhen të plotësohen të gjitha standardet.
Kemi ngritjen e logjistikës, magazinat, të mos kryhen vetëm fluturime me pasagjerë, por dhe me mallra. Kemi një komponentë tjetër që është Akademia e Aviacionit Civil. Ky aeroport i ri hap 1200 vende pune”, tha ajo.
Duke e cilësuar si një pikë shumë të rëndësishme, që do të ndihmojë në ekonominë dhe turizmin e vendit, Balluku shtoi se do të përmbushen të gjitha afatet dhe standardet për ndërtimin e aeroportit dhe se fluturimi i parë do jetë më 8 maj.
“Kjo është industria e parë shqiptare që është në përputhje me të gjitha kërkesat e vendeve europiane. Do të jetë një nga pikat e zhvillimit ekonomik dhe të truizmit më të madh të të gjithë vendit. Duhet thënë që kemi partnerë shumë të mirë nga Italia. Unë jam besimplotë që ne do të përmbushim afatet që jo vetëm Vlora të ketë një aeroport fluturimesh, por që e gjithë Shqipëria të ketë një aeroporti tjetër ndërkombëtar. Atëherë shihemi 8 maj”, u shpreh Balluku.
Nga 8 maji do të nisë testimi i Aeroporti Ndërkombëtar të Vlorës dhe brenda 2 muajsh parashikohet të përmbyllet certifikimi i nevojshëm për t’i hapur rrugë fluturimeve. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil inspektuan punimet që janë duke u kryer në këtë vepër aeroportuale, duke vënë në dukje se nisja e operimit do të ndikojë në rritjen e transportit ajror dhe zhvillimin e turizmit.
Po ashtu u bë me dije se pranë këtij aeroporti do të hapet Akademia e Aviacionit, për ngritjen e kapaciteteve të reja.
Sipas Ballukut në Aeroportin e Vlorës parashikohet të punësohen 1200 punonjës./Scan