Secondary Adv

Inflacioni në Eurozonë qëndron mbi pritshmëritë, në nivelin 2.2 për qind

Shifra e prillit vjen ndërsa perspektiva për rajonin është ndikuar nga tarifat e Trump

Inflacioni i Eurozonës mbeti në nivelin 2.2% në prill, duke tejkaluar pritshmëritë dhe duke e ndërlikuar detyrën e Bankës Qendrore Europiane, ndërsa ajo shqyrton nëse do të ulë më tej normat e interesit në takimin e ardhshëm në qershor.

 

Sipas Politico, shifrat janë një zhgënjim i vogël, pasi analistët kishin pritur që inflacioni i Eurozonës të ngadalësohej në 2.1 %. Megjithatë, shifrat nuk kanë gjasa të shkaktojnë ndonjë ndryshim dramatik. Kjo vjen pjesërisht për shkak të forcës së euros, e cila është rritur me gati 10 % kundrejt dollarit deri më tani këtë vit.

 

Shifra shënon muajin e gjashtë radhazi, që inflacioni në bllok ka qenë mbi objektivin e BQE-së në 2%.

 

Euro mbeti e pandryshuar në 1.134 dollarë menjëherë pas të dhënave, 0.4% më lart gjatë ditës.

 

BQE filloi të ulë normat verën e kaluar, pasi luftoi për të zbutur rritjen e pazakontë të çmimeve të konsumit gjatë pandemisë së koronavirusit, kur inflacioni arriti kulmin në 10.6%.

 

Përcaktuesit e normave të interesit të BQE-së votuan në mënyrë unanime muajin e kaluar për të ulur normat me një të katërtën e pikëve, në 2.25 %, duke përmendur shqetësimet mbi rritjen mes “tensioneve në rritje tregtare” nga axhenda agresive e tarifave të Presidentit të SHBA-së Donald Trump.

 

Christine Lagarde, presidente e BQE-së, shtoi se “shumica e matjeve të inflacionit bazë” sugjeronin, që banka qendrore ishte në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin e saj “në mënyrë të qëndrueshme”.

 

Ndërsa ekonomia e Eurozonës performoi më mirë se sa pritej në tre muajt e parë të vitit, me një rritje 0.4 %, njoftimi i të ashtuquajturave “detyrime reciproke” të Trump ka dëmtuar perspektivën për rajonin. /Monitor(https://monitor.al/inflacioni-ne-eurozone-qendron-mbi-pritshmerite-ne-nivelin-2-2/)


Më të lexuarat