Shpenzimet buxhetore për personelin në raport me PBB-në në minimume historike pas pandemisë
Në tre vitet e fundit shpenzimet për punonjësit në sektorin publik ishin mesatarisht 4.2 për qind e PBB-së niveli më i ulët historik.
Qeveria e Shqipërisë ndërmori një politikë “agresive” për rritjen e pagave në sektorin publik tre vitet e fundit, por shpenzimet për këtë zë në raport me PBB-në kanë pësuar ulje të ndjeshme pas vitit pandemisë.
Në tre vitet e fundit shpenzimet për punonjësit në sektorin publik ishin mesatarisht 4.2 për qind e PBB-së niveli më i ulët historik.
Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në vitin 2024 shpenzimet buxhetore për personelin ishin 4.4 % e PBB-së. Ato ishin 0.1 pikë % më të larta se 2023 po ishin shumë të ulëta se para pandemisë.
Pesha e shpenzimeve për administratën publike shqiptare ka rënë gati përgjysmë gjatë tri dekadave të fundit, nga 7,7 % e PBB-së në vitin 1997 në vetëm 4,4 % në buxhetin 2024.
Gjatë periudhës 1993-2001 shpenzimet buxhetore për punonjësit publik ishin mbi 6.6% e PBB-së, sidomos pas ngjarjeve të 1997 pati një rritje shpenzimesh për personelin e sigurisë.
Përgjatë 2002-2008 shpenzimet për këtë zë ishin në intervalin 6,5-7,3 % të PBB-së nisur nga reforma tatimore dhe politika për indeksim të pagave mbi inflacionin.
Gjatë 2009-2015 pati një ulje graduale në 5,1 % për shkak të konsolidimit fiskal pas krizës globale me ngrirje pagash 2013-2014.
Përgjatë 2016-2024 shpenzimet për pagat e punonjësve publik ishin në intervalin 4-4.7%. Numri i punonjësve buxhetorë është rritur gjatë kësaj periudhe, por PBB-ja në vlerë është rritur më shumë se sa qeveria ka rritur fondin e pagave për personelin.
Në vitin 2024 qeveria shpenzoi për punonjësit në shtet 1,6 pikë % më pak se në 2015-n. Kjo ecuri e ka ndihmuar qeverinë shqiptare në uljen e borxhit publik pas pandemisë, por nga ana tjetër mbajtja e talenteve në administratë po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Prodhimi i Brendshëm Bruto ka përshpejtuar ritmet e rritjes pas pandemisë, por jo e gjithë rritja po taksohet dhe kjo dobësi reflektohet në shpenzime të ulëta në zërat buxhetore.
Vendet e Ballkanit Perëndimor shpenzojnë 7-10 për qind të PBB-së për punonjësit e administratës publike. Bosnja dhe Serbia ka shpenzimet më të larta të personelit./Monitor(https://monitor.al/shpenzimet-buxhetore-per-personelin-ne-raport-me-pbb-ne-ne-minimume-historike-pas-pandemise/)