Koncesionet, regjistri elektronik gati brenda dhjetorit
Brenda muajit dhjetor, Ministria e Ekonomisë do të ketë gati regjistrin elektronik të koncesioneve. Drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve,Rovena Beqiraj, në intervistën dhënë gazetës, tha se në regjistër do të përfshihet vlera e kontratës dhe kohëzgjatja e koncesionit.
Kreu i ATRAKO-s, Beqiraj, tha se buxheti nuk vihet në rrezik nga koncesionet, pasi për çdo kontratë koncesionare financimi nga buxheti i shtetit nuk duhet të kalojë limitin 5 për qind të të ardhurave tatimore.Sipas drejtoreshës së Agjencisë së Koncesioneve, regjistri do të jetë transparent dhe do të ketë akses të plotë nga publiku për secilën kontratë.
Kur do të jetë gati regjistri i koncensioneve dhe çfarë të dhënash do të përfshihen në të?*
Një nga risitë që solli ndryshimi i fundit i ligjit për koncesionet, në gusht të 2015-s, ka qenë vendimi që regjistri elektronik i koncesioneve dhe partneritetit publik privat, PPP, të administrohet nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO). Për të bërë të mundur realizimin e tij, me propozim të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për krijimin e regjistrit elektronik. Sipas këtij vendimi, institucioni që do të formatojë dhe administrojë Regjistrin e Koncesioneve/PPP është ATRAKO. Operatori fitues, nën monitorimin e ATRAKO- s, është i ngarkuar për të dizenjuar data base, i cili do të jetë gati për t’u populluar me të dhëna brenda dhjetorit. Regjistri do të përmbajë të dhëna në lidhje me: autoritetin kontraktues; objektin e kontratës së koncesionit/PPP, llojin e kontratës, vendndodhjen e objektit, kohëzgjatjen e kontratës, vlerën e kontratës, tarifën koncesionare, çmimin e shërbimit publik në rast se ka, si dhe do të mundësojë që publiku të aksesojë tekstin e plotë të secilës kontratë.
Çfarë risish sjell ky regjistër dhe a e shton transparencën për koncesionet shumë herë të debatuara e të kundërshtuara nga opozita?*
Pa dyshim që regjistri do të ndihmojë në rritjen e transparencës dhe ndjeshmërisë që ka publiku e politika për këto fusha sensitive të ekonomisë. Janë këta faktorë që sollën përmirësimet ligjore në fushën e koncesioneve dhe PPP. Këtu duhet të theksojmë se një rol të rëndësishëm kanë luajtur dhe rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë. Duke iu referuar raportit të fundit të Bankës Botërore mbi “Standardet dhe Rregullat e Prokurimeve të PPP–ve 2017”, ku vihet theksi për më shumë trasparencë gjatë të gjithë procesit të dhënies së një koncesioni apo PPP, jo vetëm në fazën e procedurës konkurruese, e cila realizohet nga 93% të shteteve të analizuara në këtë raport, por edhe transparenca në të dhënat që burojnë nga këto kontrata, në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e palëve. Sipas këtij raporti, vetëm 23% e këtyre shteteve publikojnë njoftimin e kontratës dhe të dhëna në lidhje me këto kontrata, e një pjesë shumë e vogël publikojnë dhe kontratën në tërësi. Gjë të cilën edhe Shqipëria ka marrë përsipër ta realizojë nëpërmjetregjistrit, duke bërë dhe publikimin online të tekstit të plotë të kontratave. Përfshirja në listën e 1/4 e shteteve, të cilat i shpallin publikisht kontratat koncesionare, mendoj se është një dëshmi e transparencës dhe e përgjegjësisë qeverisëse për koncesionet dhe PPP.
Sa është numri i kontratave koncesionare që do të përfshihen në këtë regjistër dhe vlera e tyre?
Decentralizimi, spontaniteti i procesit dhe mungesa e regjistrit ka bërë deri tani të pamundur saktësimin e numrit të kontratave koncesionare dhe PPP. Me hedhjen e të dhënave në këtë regjistër, do të mundësohet për herë të parë inventari i plotë i kontratave të koncesionit dhe Partneritetit Publik Privat. Vetëm pasi të kemi një pasqyrë të qartë të të gjitha kontratave të koncesionit dhe PPP, mund të hartohen dokumente strategjike për përcaktimin e sektorëve për investime të bazuara te PPP. Nëpërmjet regjistrit elektronik të koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat, synohet të krijohet një bazë unike të dhënash shtetërore elektronike të të gjitha kontratave të koncesionit dhe të Partneritetit Publik Privat, të dhëna në Republikën e Shqipërisë. Në këtë regjistër do të përfshihen të gjitha kontratat e koncesionit dhe Partneritetit PublikPrivat, të nënshkruara nga autoritetet kontraktuese, të cilat janë të detyruara të raportojnë, brenda 15 ditëve pas lidhjes së tyre, në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve. Shkurt, koncesioni bëhet efektiv dhe pjesë e regjistrit vetëm pasi nënshkruhet kontrata mes palëve.
A e ndihmon qeverinë ky regjistër të dhënash të vlerësojë ndikimin që kanë Partneritetet Publike Private në buxhet?
Patjetër që ky regjistër do të vijë në ndihmë të të gjitha institucioneve publike apo private për të analizuar, studiuar më tej dhe ndikimet që kanë këto Partneritete Publike Private në buxhetin e shtetit. Gjithashtu, Qeveria Shqiptare, në zbatim të rekomandimeve të FMN, me qëllim kufizimin e ekspozimit të buxhetit të shtetit ndaj risqeve që shoqërojnë projektet e koncesionit apo Partneritetet Publike Private, ka sanksionuar një limit tavan prej 5% të të ardhurave buxhetore për totalin e pagesave vjetore që kryhen për projektet koncesionare/PPP. Që do të thotë se shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, për kontratat koncesionare apo të Partneritetit Publik Privat, nuk duhet të tejkalojë kufirin prej 5 për qind e të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Ky limit financiar e buxhetor, që sanksionohet ligjërisht, është një garanci për shmangien e risqeve dhe rëndimin e tepruar të buxhetit të shtetit prej kontratave koncesionare dhe PPP.