Eksportet drejt Greqisë rritje me 8,6 për qind në tremujorin e parë të vitit
Eksportet shqiptare drejt Greqisë gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, shënuan rritje me 8,6%, ose 509 milionë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, INSTAT, eksportet gjatë periudhës janar-mars, në vlerë llogariten 6,410 miliardë lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2024-ës ishin 5,901 miliardë lekë.
Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Greqinë gjatë kësaj periudhe zunë 7,9% të totalit të të gjithë tregtisë. Në vlerë ato arritën 23,8 miliardë lekë.
Ashtu si eksportet edhe importet e mallrave nga Greqia në Shqipëri, gjatë 3-mujorit shënuan rritje të lehtë. Ato llogariten për periudhën 17,3 miliardë lekë, kur të të njëjtën periudhë, një vit më parë (2024) u importuan mallra në vlerë 16,3 miliardë lekë.
Në strukturën e eksporteve drejt shtetit fqinj, vendin kryesor e zënë grupi i mallrave “tekstile dhe këpucë” në vlerën 2,1 miliardë lekë dhe grupi “materiale ndërtimi dhe metale”.
Eksporti i kësaj kategorie arriti për këtë periudhë vlerën e 1,1 miliardë lekëve./Oranews