Buxheti në 3-mujorin e parë, ngadalësohen të ardhurat, shtohet ritmi i realizimit të shpenzimeve
Buxheti i shtetit ka realizuar të ardhura në masën 181 miliardë lekë për 3-mujorin e parë të vitit, me një mosrealizim plani në masën 0.5%, ose 935 milionë lekë më pak se plani.
Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat u rritën me 10.2%, megjithatë vihet re një ngadalësim i mbledhjes së të ardhurave, sidomos për muajin mars.
Ndërkohë që arka e shtetit ka mbledhur konsiderueshëm të ardhurat sa i përket tatimit mbi të ardhurat personale, që shënoi rritje me 18.5% në 3-mujor, ndikuar më së shumti edhe nga pagesa e DIVA në muajin mars, një nga zërat që ka mosrealizimin më të madh është ai i tatimfitimit të bizneseve, me 16.5% më pak sesa plani, ose 3.4 miliardë lekë më pak.
Gjithashtu edhe taksat vendore rezultojnë të mos jenë mbledhur në kohë nga bashkitë, ku për 3-mujorin e parë të vitit, ato rezultojnë 26.9% më pak sesa plani, ose afro 2.2 miliardë lekë më pak.
Me mosrealizim plani në masën 9.8% rezultojnë edhe taksat doganore për 3-mujorin e parë të vitit. Në përgjithësi nga muaji në muaj, edhe pse ka rritje të të ardhurave krahasuar me periudhën paraardhëse, përsëri ka një ndalësim, ku në janar rritja ishte 18.5%, duke zbritur në 12.1% në shkurt dhe më tej në 10.2% në mars.
Sa i përket shpenzimeve, në total për 3-mujorin ka një mosrealizim me 10.5 miliardë lekë, ose 6.7% më pak sesa plani dhe ashtu si edhe në vitet e mëparshme, shpenzimet kapitale janë ato që nuk realizohen në kohë. Për 3-mujorin e parë të vitit, shpenzimet kapitale rezultojnë me një realizim 19.6% më pak sesa plani i tremujorit 2025.
Megjithatë, për shkak se jemi edhe në vit zgjedhor, shpenzimet kapitale kanë një përmirësim në këtë 3-mujor, krahasuar me realizimin e 3-mujorit të vitit 2024, ose edhe në rastin e vitit 2023.
Pra tipikisht, në njërën anën kemi një shtim të ritmit të shpenzimeve, ndërsa në anën tjetër vihet re një lloj relaksimi sa i përket mbledhjes së të ardhurave, karakteristika të viteve elektorale. /ekofin.al