Raporti i KE: Shqiperia, vendi me rritjen ekonomike me te larte ne rajon
Komisioni Europian konstaton se ekonomia shqiptare po vijon në një rrugë të qëndrueshme përmirësimi gjatë këtij viti.Sipas një raporti për ecurinë e ekonomisë në vendet kandidate dhe kandidate potenciale për në Bashkimin Europian, në tremujorin e dytë të vitit Shqipëria ka regjistruar nivelin më të lartë të rritjes ekonomike në rajonin e Ballkanit perëndimor, me 3.2%.
Ndërsa për gjashtëmujorin e parë, Shqipëria renditet e dyta pas Turqisë, në terma të rritjes mesatare. Raporti konstaton se motorri kryesor i rritjes ekonomike për këtë vit është sektori i shërbimeve, ndërsa nënvizon ecurinë e dobët të bujqësisë, ku prodhimi ra për të pestin tremujpr radhazi, me bazë krahasimi vjetore.
Rritja ekonomike ka përfituar nga rimëkëmbja e lehtë e shpenzimeve konsumatore, ndërsa ecuria e investimeve ngelet në rritje, por me ritme të ngadalësuara krahasuar me vitin 2015. Raporti vlerëson se përmirësimi i gjendjes së ekonomisë është reflektuar edhe në ecurinë e tregut të punës.Shkalla e papunësisë zbriti në 15.9%, niveli më i ulët në tre vitet e fundit. Borxhi publik në fund të tremujorit të dytë qëndronte në nivelin 70.9% dhe performanca fiskale përgithësisht vlerësohet pozitivisht, megjithë nënvizohet ulja me 1.1% e planit të të ardhurave në buxhetin e rishikuar, kjo kryesisht për shkak të mosrealizimeve sidomos në mbledhjen e taksave lokale dhe në dividentët nga shoqëritë shtetërore.
Raporti e vlerëson të shëndetshëm sistemin bankar, ndonëse ecuria e kreditimit ngelet e dobët, kryesisht për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme. Kreditimi po mbështetet sidomos në segmentin e individëve, ndërsa bankat ngelen mjaft të kujdesshme në kreditimin e bizneseve.