Secondary Adv

BSH: Bankat rikuperuan më shumë kredi me probleme vitin e kaluar

Norma e rikuperimit të kredive me probleme nga sektori bankar u përmirësua vitin e kaluar. 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në gjashtëmujorin e dytë 2024 norma e rikuperimit të kredive me probleme u rrit në 13.8%, nga 12.7% një vit më parë.

 

Norma e rekuperimit tregon vlerën e kredive që janë hequr nga kategoria e kredive me probleme dhe që kanë kaluar në klasat performuese gjatë një viti, në raport me tepricën e kredive me probleme në fund të periudhës. Kjo ecuri tregon rritje të aftësisë së bankave për të rikuperuar kreditë me probleme.

 

Paralelisht, edhe prurjet e reja të kredive me probleme pësuan rënie. Ky tregues përfaqëson fluksin e ri të kredive me probleme gjatë një viti ndaj tepricës së kredive të rregullta në fund të periudhës. Në fund të vitit të kaluar, fluksi vjetor i kredive të reja me probleme ishte sa 1.7% e kredive të rregullta, nga 1.8% dhe 1.9% një gjashtëmujor dhe një vit më parë. Kjo ecuri u përcaktua nga zgjerimi i i tepricës së kredive të rregullta.

 

Gjithashtu, norma e dështimit që tregon shpejtësinë me të cilën akumulohen kreditë e humbura në krahasim me totalin e kredisë, ka rënë në 1.1%, nga 1.2% që ishte një gjashtëmujor dhe 1.4% që ishte një vit më parë, ndikuar nga zgjerimi i tepricës së përgjithshme të kredisë dhe tkurrja e huave të humbura. Ky tregues shpreh fluksin e ri të kredive të humbura gjatë një viti ndaj tepricës së përgjithshme të kredisë në fund të periudhës.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia e normës së dështimit sinjalizon një rrezik më të ulët të aktivitetit kreditues, megjithatë kjo nuk përjashton që zgjerimi i portofolit të kredisë mund të materializohet në një shtim të prurjeve të kredive me probleme në të ardhmen.

 

Treguesit plotësues të Bankës së Shqipërisë në përgjithësi konfirmojnë një ecuri në përmirësim të kredive me probleme, pavarësisht se këtë vit rënia e raportit të kredive me probleme është ngadalësuar.

 

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar raporti i kredive me probleme zbriti në 4.17%, nga 4.74% që kishte qenë një vit më parë. Ky tregues ka arritur nivelin më të ulët që prej shtatorit të vitit 2008.

 

Zmadhimi i portofolit total të kredisë pati një rol të rëndësishëm në uljen e raportit të kredive me probleme vitin e kaluar. Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit 2024 arriti vlerën e 835.6 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 12.3%. Kjo është gjithashtu rritja më e lartë e portofolit të kredisë për ekonominë në 16 vitet e fundit.

 

Ekonomia shqiptare vitin e kaluar u karakterizua nga ritme relativisht të larta të rritjes, e mbështetur sidomos nga ecuria e mirë e sektorëve të lidhur me turizmin dhe pasuritë e paluajtshme.

 

Gjatë vitit të kaluar, raporti i kredive me probleme ka pësuar një rënie të lehtë edhe në vlerë absolute. Totali i kredive me probleme në fund të 2024 vlerësohej në afërsisht 34.8 miliardë lekë, nga rreth 35.3 miliardë lekë që kishte qenë një vit më parë. Në vlerë absolute, kreditë e këqija kanë rënë me afërsisht 0.5 miliardë lekë ose 1.4% krahasuar me një vit më parë./Monitor(https://monitor.al/bankat-rikuperuan-me-shume-kredi-me-probleme-vitin-e-kaluar/)


Më të lexuarat