Secondary Adv

BSH mban normën bazë në 2.75 për qind, rritja ekonomike u ngadalësua në tremujorin I

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75%.

Në fjalën e tij pas mbledhjes së sotme, Guvernatori, Gent Sejko, tha se vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të fundit, inflacioni vijon të qëndrojë në nivele të ulëta dhe pranë objektivit, ndërsa tregjet financiare kanë qenë të qeta dhe kreditimi për sektorin privat ka shënuar rritje.

 

Sipas tij, në këndvështrimin e shportës së konsumit, qëndrueshmëria e inflacionit u përcaktua nga lëvizjet e barasvlershme në kahun rënës të inflacionit të ushqimeve dhe në kahun rritës të inflacionit të naftës dhe të mallrave të konsumit afatgjatë.

 

“Nivelet e ulëta të inflacionit të importuar pasqyrojnë rënien progresive të inflacionit në parterët tanë tregtarë dhe forcimin e kursit të këmbimit gjatë vitit të fundit.

 

Nga ana tjetër, qëndrueshmëria e inflacionit të brendshëm, në nivele konsistente me objektivin tonë të inflacionit, pasqyron si kërkesën solide për mallra e shërbime, ashtu edhe rritjen e vazhdueshme të pagave dhe të kostove të punës. Së fundi, rritja e ofertës së produkteve bujqësore vijon ta mbajë inflacionin e ushqimeve pranë niveleve minimale të dy viteve të fundit,” tha Sejko.

 

Sipas tij, të dhënat indirekte të vitit 2025 sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme pozitive, ndonëse disi më të ngadalta se ato të vitit 2024.

 

Profili i rritjes ekonomike gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 duket se ka mbetur i ngjashëm me atë të vitit të shkuar.

 

“Rritja ekonomike ka vijuar të pasqyrojë zgjerimin e konsumit familjar, investimeve të biznesit, dhe të ardhurave të turizmit.

 

Rritja e konsumit dhe e investimeve të sektorit privat pasqyron bilancet e shëndosha të biznesit e të familjeve, besimin e tyre për të ardhmen, si dhe kushtet e favorshme financiare në vend.

 

Nga ana tjetër, pavarësisht disa sinjaleve pozitive, bilanci i shkëmbimit tregtar të mallrave pritet të ketë një kontribut negativ, ndërsa politika fiskale vijon të ruajë trajta konsoliduese.

 

Ky profil kërkese vijon të ushqejë kryesisht zgjerimin e sektorëve të shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori i industrisë dhe ai i bujqësisë kanë një ecuri më të ngadaltë,” tha Guvernatori.

 

Sipas tij, kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime vijon ta mbajë ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit.

 

Kjo ecuri pasqyrohet në një treg pune të karakterizuar nga punësim në rritje, normë papunësie pranë niveleve minimale historike dhe rritje të shpejtë të pagave në sektorin privat.

 

Në veçanti, këto të fundit u rritën me 9.5% në tremujorin e katërt të vitit të shkuar, duke ilustruar vijimin e zhbalancimeve të kërkesës dhe ofertës në tregun e punës.

 

Sikundër e kemi theksuar dhe më parë, rritja e shpejtë e pagave rrit të ardhurat e familjeve shqiptare, por ajo është premisë edhe për rritjen e kostove të prodhimit dhe të çmimeve të konsumit.

 

Ai theksoi se tregjet financiare kanë vijuar të shfaqen të qeta gjatë muajve të parë të vitit 2025. Tregu i parasë karakterizohet nga një situatë e mirë likuiditeti, prime të reduktuara rreziku dhe kushte financiare akomoduese.

 

Paralelisht me të, tregu valutor ka shfaqur një qëndrueshmëri më të lartë krahasuar me dy vitet e shkuara, ndonëse presionet sezonale vijojnë të jenë të pranishme. Kjo ecuri sugjeron një balancë më të mirë të kërkesës dhe ofertës për valutë në tregun e brendshëm.

 

Banka e Shqipërisë vlerëson se përditësimi i parashikimeve sugjeron se perspektiva e zhvillimeve ekonomike mbetet pozitive.

 

“Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit.

 

Paralelisht me të, edhe punësimi e pagat pritet të vijnë në rritje, duke rritur mirëqenien e familjeve. Rritja e ekonomisë pritet të mbetet e qëndrueshme dhe pranë potencialit, çka do të mundësojë një nivel presionesh të brendshme inflacioniste në linjë me objektivin.

 

Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

 

Kjo ecuri do të ndihmohet nga stabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe nga një ecuri më e qëndrueshme e kursit të këmbimit.

 

Nga ana tjetër, presionet e brendshme priten të mbeten të qëndrueshme, si pasojë e rritjes së shëndetshme të ekonomisë dhe pritjeve të ankoruara për inflacionin,” tha ai.

 

Guvernatori Sejko theksoi edhe njëherë se pasiguritë rreth parashikimeve ekonomike janë rritur, kryesisht për shkak të zhvillimeve në ambientin e huaj.

 

Sipas tij, vazhdimi i tensioneve gjeopolitike dhe pasiguria në lidhje me politikat tregtare dhe ekonomike, mund të ketë implikime të rëndësishme për ekonominë globale në përgjithësi dhe atë evropiane në veçanti.

 

Në veçanti, shkalla dhe intensiteti i materializimit të tarifave dhe barrierave tregtare mund të gjenerojnë goditje me natyrë komplekse oferte dhe kërkese, të cilat mund të kenë një ndikim potencial negativ si në rritjen ekonomike ashtu edhe në inflacion.

 

/Monitor (https://monitor.al/bsh-mban-normen-baze-ne-2-75-sejko-rritja-ekonomike-eshte-ngadalesuar-lehte-ne-tremujorin-i/)


Më të lexuarat