Secondary Adv

Zgjedhjet 2025, pjesëmarrja arriti 42.16 për qind, më e ulët se në 2021

Shifra e pjesëmarrjes në zgjedhje e bërë publike nga KQZ ishte 42.16 për qind në rang vendi.

Në orën 19:00 ka përfunduar zyrtarisht procesi i votimit në të gjithë vendin, me një pjesëmarrje në rang kombëtar prej 42.16% deri në orën 17:00, të raportuar nga 3,011 qendra votimi nga 5,225 në total vendi. Deri në orën 19:00 kanë votuar 858,343 zgjedhës nga 2,035,688 zgjedhës në listën e qendrave të votimeve të raportuara.

 

Shifra e pjesëmarrjes në zgjedhje e bërë publike deri në orën 19:00 nga KQZ, rezulton më e ulët krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku pjesëmarrja ishte 46.33%.

 

Në një konferencë për mediat, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi se procesi është zhvilluar në përputhje me të gjitha rregullat dhe standardet, ndërsa problematikat e paraqitura në orët e para të mëngjesit janë adresuar menjëherë.

 

Sipas Celibashit, procesi i identifikimit elektronik ka funksionuar mjaft mirë, dhe janë shënuar vetëm disa raste problematike, përfshirë dy në Tiranë, një në Korçë dhe një në Elbasan. Ai theksoi gjithashtu se është krijuar infrastruktura e nevojshme për zhvillimin dhe monitorimin transparent të procesit nga subjektet politike, kandidatët dhe mediat.

 

Rezultatet paraprake pritet të publikohen jo më vonë se pasditja e ditës së martë, ndërsa për zonat me votim dhe numërim elektronik, si Njësia Bashkiake nr. 10 në Tiranë dhe Bashkia Vorë rezultatet pritet të jenë të disponueshme që në mëngjesin e së nesërmes.

 

KQZ ka ritheksuar vendosmërinë për të mos toleruar asnjë veprim apo iniciativë që bie ndesh me ligjin zgjedhor.

 

/Monitor (https://monitor.al/mbyllen-votimet-pjesemarrja-deri-ne-1800-arriti-41-38/)


Më të lexuarat