Raporti, Tirana ndër destinacionet urbane me rritjen më të shpejtë në kontinent
Evropa mbetet një qendër kryesore turistike, ndërsa Tirana spikat si destinacioni urban me rritjen më të shpejtë në kontinent për 2019–2024.
Evropa vijon të mbetet një prej qendrave më të rëndësishme turistike globale, falë trashëgimisë së pasur kulinare, peizazheve të ndryshme natyrore dhe ofertave të shumta në fushën e mirëqenies. Por sipas një raporti të fundit, Tirana renditet si destinacioni urban me rritjen më të shpejtë në kontinent për periudhën 2019–2024.
Sipas raportit të bërë publik Instituti Ekonomik i Mastercard (MEI), kjo rritje është nxitur kryesisht nga rritja e vizitorëve italianë, duke e bërë kryeqytetin shqiptar një pikë tërheqëse për turistët europianë në muajt e verës.
Raporti thekson se, kërkesa për udhëtime drejt Tiranës është rritur ndjeshëm në muajt e verës, çka e bën kryeqytetin shqiptar një destinacion të spikatur për pushime verore urbane në Europë.
Tendencat kryesore europiane sipas raportit përfshijnë:
Sporti si nxitës i turizmit: Fitorja e Real Madrid kundër Borussia Dortmund në finalen e Champions League solli një rritje të shpenzimeve me 148% nga turistët spanjollë dhe 61% nga ata gjermanë në Londër, krahasuar me një vit më parë.
Destinacionet më të kërkuara për verën 2025: Përveç Tokios, Parisit, Londrës apo Palma de Mallorca, Tirana u veçua si qyteti me rritjen më të madhe të vizitave nga europianët në pesë vitet e fundit.
Udhëtime për mirëqenie: Italia dhe Polonia janë në krye të destinacioneve për udhëtime që lidhen me kujdesin ndaj vetes, sipas indeksit të mirëqenies të MEI, që mat shpenzimet ndërkufitare në akomodime të lidhura me mirëqenien.
Kryeqendrat kulinare ndërkombëtare: Restorantet në Stamboll kanë mikpritur turistë nga 67 shtete në vitin 2024, më shumë se çdo qytet tjetër i analizuar. Në top 10 renditen gjithashtu Cannes, Interlaken, Barcelona, Dubrovnik dhe Mykonos.
Aventura në natyrë në vendet nordike: Parket kombëtare në Finlandë, Zvicër, Poloni, Francë dhe Norvegji po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë që kërkojnë qetësi dhe natyrë, me ndikim të drejtpërdrejtë në shpenzimet turistike.
Mashtrimet në rritje gjatë sezonit turistik: Sipas MEI, mashtrimet financiare në zonat turistike shtohen me deri në 28% gjatë sezonit të lartë, ndërsa teknologjitë si inteligjenca artificiale ndihmojnë në parandalimin e tyre.
Udhëtimet biznesi: më të rralla, por më të gjata: Udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA që udhëtojnë për arsye biznesi qëndrojnë më gjatë se para pandemisë, me një kohëzgjatje mesatare që i kalon 8 ditët për vizitat në Europë. /Monitor(https://monitor.al/raporti-tirana-nder-destinacionet-urbane-me-rritjen-me-te-shpejte-ne-kontinent/)