BERZH rishikoi me ulje 0.2 për qind rritjen e Shqipërisë, PBB zgjerohet 3.5 për qind në 2025
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) uli edhe një herë parashikimet e rritjes ekonomike të Shqipërisë në raportin e fundit.
Ekonomia e vendit tonë do të zgjerohet me 3.5 % këtë vit ose 0-2% më pak se parashikimi i muajit shkurt.
Raporti i ri i EBRD‑së vë në dukje se ekonomia e vendit tonë ngadalësohet në 3,5 % më 2025 mes pasigurive të tregtisë globale.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) uli edhe një herë parashikimet e rritjes për ekonomitë ku investon, duke projektuar një zgjerim mesatar prej vetëm 3,0 % në 2025 (‑0,2 pikë përqindjeje kundrejt skenarit të muajit shkurt) dhe 3,4 % në 2026.
BERZH vlerëson se motori i rritjes 2024 në vendin tonë janë shërbimet dhe ndërtimi.
Eksportet e mallrave ranë për shkak të forcimit të lekut dhe kërkesës së dobët të jashtme, duke zgjeruar deficitin e llogarisë korrente.
Inflacioni zbriti në mesatarisht 2,2 % më 2024, nga 4,8 % një vit më parë, çka lejoi Bankën e Shqipërisë të ulë gradualisht normën bazë në 2,75 %.
Parashikimi për ekonominë e Shqipërisë për dy vitet në vijim 2025‑2026 do të jetë për një rritje 3,5 %, por e ndjeshëm më e ulët se kulmi i vitit 2024.
Rreziqet kryesore lidhen me frenimin e ekonomisë së eurozonës, e cila mund të frenojë turizmin dhe remitancat. Sakaq nga faktorët e brendshëm forcimi i lekut po dëmton konkurrueshmërinë dhe eksportet.
Kushtet klimatike (thatësirat) mund të rrisin importet e energjisë pavarësisht zgjerimit të burimeve të rinovueshme. Raporti evidenton se ndonëse Shqipëria është histori suksesi në Rajon dhe në turizëm, duhet të përshpejtojë diversifikimin e eksporteve për të shmangur goditjet nga tregjet e huaja.
Sipas BERZH vendi ynë duhet të rrisë produktivitetin në sektorët prodhues që të ruajë ritmet e konvergjencës me ekonominë europiane.
Raporti i fundit “Uncertain Times (koha të pasigurta)” i BERZH sinjalizon një epokë pasigurie tregtare dhe monetare ku edhe ekonomitë më të vogla, si Shqipëria, ndjejnë efektet përmes kërkesës së jashtme, turizmit dhe flukseve financiare.
Politikat pro‑rritjes së qëndrueshme, disiplinës fiskale dhe integrimit europian vlerësohen si çelës për të krijuar mundësi të reja zhvillimi./Monitor(https://monitor.al/berzh-rishikoi-me-ulje-0-2-rritjen-e-shqiperise-pbb-zgjerohet-3-5-me-2025/)