Bonusi i lindjeve, 1 mln euro në 3 mujorin e parë, rënie 80 për qind krahasuar me 2024
Vetëm 1 milionë euro janë shpërndarë për bebet e lindura në 3 muajt e parë të këtij viti në Shqipëri.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se për periudhën Janar-Mars, ka një rënie drastikë te fondit të disbursuar për nxitjen e lindshmërisë, në 4 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Konkretisht në 3 mujorin 2024 janë shpërndarë 5 milionë euro, ndërsa rënia këtë vit llogaritet në -80%.
Po ashtu, është e njëjta rënie në raport me planifikimin e bërë, ku parashikohej të jepeshin 5 milionë euro në këtë tremujor.
Këto shifra tregojnë një rënie drastike të lindshmërisë së popullsisë çka po e çon vendin drejt plakjes me ritme të shpejta.
Gjë që konfirmohet edhe nga të dhënat e INSTAT, sipas të cilave lindjet në tremujorin e parë 2025 u regjistruan në 4662, shifra më e ulët që nga viti 2011 për të njëjtën periudhë.
Të dhënat krahasuese nga viti 2011 me parashikimet për vitin 2025 tregojnë një ulje mesatare prej 37.2% në shkallë kombëtare, por në disa qarqe, rënia është shumë më e thellë.
Kjo tendencë do të vijojë të japë një goditje edhe më të madhe në tregun e punës, skemën e pensioneve si dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Bonusi i lindjes është vendosur në formën e ndihmës së menjëhershme financiare për prindërit me foshnja të porsalindura që nga viti 2019. Ndihma e dhënë është në masën 40 mijë lekë për lindjen e foshnjës së parë; 80 mijë lekë për lindjen e foshnjës së dytë; në masën 120 mijë lekë për lindjen e foshnjës së tretë dhe të foshnjave të tjera në vijim.
Për prindërit që sjellin në jetë binjakë, masa e përfitimit është masën 80 mijë lekë për secilën foshnjë dje për prindërit që sjellin në jetë më shumë se dy foshnja të lindura njëherësh masa e përfitimit është 120 mijë lekë për secilën foshnjë.
Bonusi përfitohet menjëherë pasi prindërit e regjistrojnë të porsalindurin në gjendjen civile për të gjitha familjet që bëhen me fëmijë, pavarësisht statusit social-ekonomik.
Fëmijët e lindur jashtë vendit janë të përjashtuar nga e drejta për ta përfituar atë. Përgjatë këtij viti fondi total është parashikuar 2.2 miliardë lekë. /Scan