Secondary Adv

Zgjerohen fluturimet direkte nga Rinasi, së shpejti inagurohet linja ajrore Tiranë-Zagreb

Zgjerohen më tej fluturimet direkte mes Tiranës dhe kryeqyteteve evropiane.

Ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po njeh rritje të pasagjerëve nga muaji në muaj dhe po i nënshtrohet transformimeve falë investimeve të vazhdueshme të Grupit Kastrati, gjithnjë e më shumë kompani ajrore po zgjedhin të ofrojnë fluturime direkte nga kryeqyteti shqiptar.

 

Ambasada e Republikës së Kroacisë në Tiranë njofton se do të promovojë zyrtarisht linjën ajrore direkte të Croatia Airlines për fluturimet Tiranë – Zagreb, përmes një ceremonie që do të mbahet të martën, më 20 maj 2025, në orën 10:30.

 

Kjo lidhje e re ajrore do të forcojë më tej marrëdhëniet ekonomike, kulturore dhe turistike ndërmjet Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Shqipërisë, shkruan në njoftim Ambasada kroate.

 

Në këtë event do të marrin pjesë dhe do të mbajnë fjalën përshëndetëse përfaqësuesit e Croatia Airlines – transportuesi kombëtar ajror i Republikës së Kroacisë, Zyrës Kombëtare të Turizmit të Kroacisë, Ambasadës së Republikës së Kroacisë në Tiranë, si edhe Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.

 

Në sezonin veror, që fillon në mes të majit deri në fund të shtatorit, ka një rritje të ndjeshme të fluturimeve direkte mes Tiranës dhe destinacioneve evropiane. Kjo pritet të shtojë më tej numrin e pasagjerëve nga Rinasi. Vitin e kaluar një numër rekord prej 10.7 milionë pasagjerësh përdorën Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës për fluturime. /ekofin.al


Më të lexuarat