Secondary Adv

Puse të reja për ujësjellësin e Vorës, lidhet kontrata 8.9 mln euro

Është lidhur kontrata 8.9 milionë euro për optimizimin e ujësjellësit të Vorës dhe zonave përreth, projekt që do të zbatohet nga ALKO Impex Construction.


Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve njoftoi së fundmi se tashmë është lidhur kontrata që ka në objekt të saj optimizimin e Ujësjellësit të Qytetit të Vorës dhe rrethinat e saj me një vlerë 890 milionë lekë apo 8.9 milionë euro. Kompania zbatuese e projektit do të jetë ALKO Impex Construction.

 

Bashkia Vorë ka në përbërje të saj vetë qytetin e Vorës dhe fshatrat Gjokaj, Mucaj, Sharkë, Marqinet, Gërdec, Marikaj, dhe, Kuç të cilët do të ndikohen nga ky projekt. Në dokumente sqarohet se ka lindur nevoja për shpimin e dy puseve të reja teksa ata ekzistues janë dëmtuar më herët.

 

“Me ndërtimin e autostradës Thumanë – Kashar ku aksi i autostradës ka dëmtuar rëndë dy puse që aktualisht kanë qenë në shfrytëzim, doli detyrë emergjente që dy puset të spostohen por njëkohësisht i gjithë projekti i furnizimit me ujë të rishikohej. 

 

Nga punimet e bëra për ndërtimin e këmbës së urës me pilota shumë të thella, njëri nga puset është dëmtuar, duke përkeqësuar parametrat sasiorë e cilësorë të ujit të pusit. 

 

Aktualisht, nga ujësjellësi deri më sot janë përdorur për furnizimin me ujë 3 puse të cilët kanë prurje nga 22 – 50 l/sek”, thuhet në dokument.

 

I njëjti nënvizon se pusi 1 i shfrytëzimit duhet të projektohet i ri pasi tek ky pus ka rënë gjurma e rrugës, dhe janë pezulluar punimet për vazhdimin e saj deri sa të zhvendoset stacioni (pusi 1). 

 

Po kështu pusi 2 është dëmtuar kolona e pusit nga punimet për pilotat. Aktualisht është në shfrytëzim por pusit i janë prishur parametrat cilësorë edhe sasiorë të ujit. Në gjendje pune është vetëm pusi 3 i cili është në shfrytëzim.

 

“Për zgjidhjen e situatës emergjente në të cilën ndodhet Bashkia Vorë, për furnizimin me ujë të popullsisë, kërkohet projektimi i ujësjellësit të ri, duke hapur 6 puse, ku dy prej tyre do të jenë rezervë. 

 

Nga të gjithë puset që projektohen të shfrytëzohen parashikohet të merret sasia prej 100 – 130 l/sek (periudhë verë – dimër). Këto te dhëna janë marre nga studimi hidrogjeologjik ne bazë të të cilit ka vijuar puna me modelimin e rrjetit” thuhet në relacionin teknik.

 

Sipas dokumenteve zona e furnizimit me ujë të Bashkisë Vorë bashkë me Njësitë Administrative Prezë e Bërxullë administrohet nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vorë Sh.a në varësi të Bashkisë Vorë.

 

Ujësjellësi i Vorës është i përbërë nga sistemi i furnizimit me ujë të pijshëm me dy ngritje mekanike dhe vetëm furnizimi i Domjes dhe një pjesë e komunitetit dhe bizneseve Vorë dhe Prezë bëhet me të tretë. 

 

Uji i pijshëm për furnizimin e Domjes blihet nga UK Tiranë, ndërsa një pjesë e komunitetit dhe bizneseve Vorë dhe Prezë blihet nga UK Durrës./Monitor(https://monitor.al/puse-te-reja-per-ujesjellesin-e-vores-lidhet-kontrata-8-9-mln-euro/)


Më të lexuarat