Secondary Adv

BE ul parashikimin e rritjes për Eurozonën, tarifat e SHBA rrisin pasigurinë ekonomike

Komisioni Europian pret që ekonomia e Eurozonës të zgjerohet me 0,9% në vitin 2025 dhe me 1,4% në 2026.

Komisioni Europian ka ulur parashikimet për rritjen e Eurozonës, ndërsa politika tregtare e SHBA-së po shkakton tronditje ekonomike. Ekzekutivi i BE-së pret tani që blloku me 20 vende të rritet me vetëm 0,9% këtë vit — nga 1,3% që parashikonte në nëntor. Parashikimi për vitin 2026 është reduktuar në 1,4%, nga 1,6% më parë. Vlerësimet janë ulur lehtë edhe për Bashkimin Europian në tërësi.

 

“Ekonomia e BE-së po tregon qëndrueshmëri mes tensioneve të larta tregtare dhe rritjes së pasigurisë globale,” deklaroi të hënën komisioneri europian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis.

 

“Por nuk mund të jemi të vetëkënaqur. Rreziqet për perspektivën mbeten të anshme nga ana negative.”

 

Këto shkurtime parashikimesh vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një sërë tarifash ndaj pjesës tjetër të botës në prill, përfshirë detyrime “reciproke” prej 20% mbi shumicën e importeve nga BE.

 

Më 9 prill, ato u reduktuan përkohësisht në 10% për 90 ditë, për t’u dhënë palëve hapësirë negociuese. Ndërkohë, tarifat prej 25% për çelikun, aluminin dhe automjetet e prodhimit të BE-së mbeten në fuqi.

 

Komisioni shpjegoi se parashikimi i ri i rritjes bazohet në supozimin se tarifat reciproke mbi shumicën e produkteve të BE-së do të zbriten përfundimisht në 10%, ndërsa tarifat sektoriale do të mbeten në 25%.

 

Megjithatë, duke qenë se negociatat në vazhdim ende nuk kanë dhënë rezultat, Komisioni pranon se një përshkallëzim i mëtejshëm i tensioneve tregtare mund të cenojë rritjen e PBB-së.

 

Po ashtu, Komisioni ka marrë në llogari edhe “një reduktim të ndjeshëm” të tregtisë mes SHBA-së dhe Kinës. Në fillim të majit, dy vendet ranë dakord për një “armëpushim” tregtar që uli tarifën kryesore amerikane mbi importet kineze nga 145% në 30 % për të paktën 90 ditë. Detyrimet mbi 100% u konsideruan nga Komisioni si “të paqëndrueshme”.

 

Sipas vlerësimeve më të fundit, inflacioni pritet të arrijë objektivin 2% të Bankës Qendrore Europiane më shpejt se sa parashikohej, diku nga mesi i këtij viti, dhe të bjerë në mesatare 1,7% vitin e ardhshëm.

 

Ekonomia e Eurozonës ka tejkaluar pritshmëritë në tremujorët e fundit, duke u zgjeruar me 0,3% në tre muajt e parë të vitit. Megjithatë, ekonomistët këtë performancë ia atribuojnë kryesisht faktorëve të njëhershëm, si numri i madh i korporatave shumëkombëshe amerikane që kanalizojnë të ardhurat jashtë SHBA-së përmes degëve të tyre në Irlandë.

 

Komisioni, të hënën, uli parashikimet e rritjes në të gjithë bllokun. Ekonomia gjermane tani pritet të qëndrojë në stanjacion këtë vit — nga një rritje prej 0,7% që Komisioni parashikonte më herët për ekonominë më të madhe të Europës — përpara se të rikthehet në 2026 me një zgjerim prej 1,1%.

 

Fondi gjerman prej 500 miliardë eurosh për infrastrukturën, së bashku me ndryshimet në rregullat kombëtare të borxhit që do të mundësonin shtim të shpenzimeve për mbrojtjen, “nuk u vlerësuan si mjaftueshëm të detajuara për t’u përfshirë” në parashikim, shkroi Komisioni.

 

Sipas Komisionit, Franca dhe Italia do të performojnë disi më mirë, me rritje të pritshme prej 0,6% dhe 0,7% përkatësisht në 2025 — megjithëse parashikimet e mëparshme ishin 0,8% dhe 1%.

 

Irlanda, Spanja dhe Greqia pritet të vazhdojnë të tejkalojnë mesataren e rritjes së Eurozonës./Monitor(https://monitor.al/be-ul-parashikimin-e-rritjes-per-eurozonen-tarifat-e-shba-rrisin-pasigurine-ekonomike/)


Më të lexuarat