Gripi i shpendëve, Kosova ndalon importin e mishit të pulës nga Brazili
Kosova ka ndaluar importin e mishit të pulës nga Brazili pas shpërthimit të gripit të shpendëve.
Ky vendim synon të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjes në territorin e Kosovës.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se duke nisur nga e marta, 20 maj, ndalohet përkohësisht importi i mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve që vijnë nga Brazili.
Ky vendim është marrë pas shpërthimit të gripit të shpendëve në një fermë komerciale në shtetin Rio Grande të Brazilit, rast i konfirmuar më 16 maj nga autoritetet braziliane.
Sipas AUV-it, ndalimi është një masë parandaluese për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të shmangur përhapjen e mundshme të sëmundjes.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton opinionin se, duke filluar nga data 20 maj 2025, ndalon përkohësisht importin e mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve nga Brazili. Kjo masë është ndërmarrë si përgjigje ndaj shpërthimit të gripit të shpendëve (H5N1) në një fermë komerciale në shtetin Rio Grande të Brazilit, i konfirmuar më 16 maj 2025 nga autoritetet braziliane.
Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe, në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit. Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, mirëpo ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve”.
Sipas agjencisë, vendimi i Kosovës është në përputhje me masat e ngjashme që tashmë janë ndërmarrë nga Bashkimi Evropian, Kina dhe disa vende të tjera që kanë pezulluar importet nga Brazili.
“Ky vendim është në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe veprimet e ndërmarra nga vende të tjera, përfshirë Bashkimin Evropian, Kinën, dhe vende tjera të cilat kanë pezulluar importet e mishit të pulës nga Brazili pas konfirmimit të shpërthimit. Ndalimi do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, gjithmonë bazuar në situatën epidemiologjike në Brazil dhe rivlerësimit të rrezikut nga AUV”.