
BE miraton paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë, Trump nuk u bashkohet
Bashkimi Evropian miratoi një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë.
Bashkimi Evropian e ka miratuar të martën një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, duke u goditur “flotën në hije” të cisternave të naftës së Moskës.
Sanksionet kanë të bëjnë gjithashtu edhe me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe kërcënimet hibride nga Moska, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
“BE-ja ka miratuar paketën e saj të 17-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke shënjestruar pothuajse 200 anije të flotës në hije”, shkroi Kallas në X.
“Po përgatiten edhe më shumë sanksione kundër Rusisë. Sa më shumë të zgjasë lufta e Rusisë, aq më e ashpër do të jetë përgjigjja jonë”, paralajmëroi ajo.
“Dëgjuam nga SHBA-ja se pa një armëpushim do të kishte reagime të forta, pasoja dhe tani duam t’i shohim këto pasoja” theksoi Kaja Kallas, sapo mbërriti në Këshillin e Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes, duke specifikuar se deri më tani nuk ka pasur “presion serioz” ndaj Moskës në diskutimet e zhvilluara nga Donald Trump.
Kompani nga vende si Vietnami, Serbia dhe Turqia, të akuzuara se ndihmojnë në furnizimin e ushtrisë ruse me mallra, gjithashtu do të përballen me kufizime. Dhjetëra zyrtarë rusë do t’i shtohen listës prej gati 2.400 personash dhe entitetesh që tashmë përballen me ndalime vizash dhe ngrirje pasurish.
Paketa përfshin gjithashtu sanksione ndaj individëve rusë për sulme kibernetike, shkelje të të drejtave të njeriut dhe akte sabotimi në Evropë.
BE-ja dhe aleatët e saj perëndimorë kanë ashpërsuar vazhdimisht masat kundër flotës në hije të cisternave ruse dhe aktorëve të lidhur me të, pasi ata përpiqen të shmangin tavanin e vendosur nga Grupi i Shtatë vendeve (G7) për çmimin e naftës ruse, i cili është në fuqi që nga fundi i vitit 2022.
Çmimet tavan u vendosën për ta lejuar shitjen e naftës ruse në vendet e treta duke përdorur shërbimet perëndimore të sigurimit përderisa çmimi nuk i kalon 60 dollarë për fuçi.
Kjo lëvizje ka filluar të ketë ndikim dhe BE-ja do të kërkojë uljen e mëtejshme të çmimit tavan gjatë një takimi të ministrave të Financave të G7-ës këtë javë në Kanada.
Eksportet e naftës dhe gazit janë një nga burimet kryesore të të ardhurave për Rusinë, me të cilat ajo e financon luftën e saj në Ukrainë.
Donald Trump njoftoi se Rusia dhe Ukraina do të nisin menjëherë negociatat për armëpushim pas një telefonate me Vladimir Putin. Ai nuk tregoi gatishmëri për të vendosur sanksione ndaj Moskës, ndryshe nga udhëheqësit evropianë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Trump tha pas telefonatës me Presidentin Vladimir Putin se Rusia dhe Ukraina do të fillojnë menjëherë negociatat për një armëpushim, por Kremlini tha se procesi do të kërkonte kohë. Lideri amerikan tregoi se nuk ishte i gatshëm t'i bashkohej Evropës me sanksione të reja për të ushtruar presion mbi Moskën.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se ia përcolli planin Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, si dhe udhëheqësve të Bashkimit Evropian, Francës, Italisë, Gjermanisë dhe Finlandës pas bisedës me udhëheqësin rus.
"Rusia dhe Ukraina do të fillojnë menjëherë negociatat drejt një armëpushimi dhe, më e rëndësishmja, drejt fundit të luftës", tha Trump, duke shtuar më vonë se "po arrihet progres".
Putin falënderoi liderin amerikan për mbështetjen e rifillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit, pasi të dyja palët u takuan në Turqi javën e kaluar. Por pas telefonatës, ai tha vetëm se përpjekjet ishin "përgjithësisht në rrugën e duhur".
"Ne kemi rënë dakord me presidentin e Shteteve të Bashkuara që Rusia do të propozojë dhe është gati të punojë me palën ukrainase për një memorandum mbi një marrëveshje të mundshme paqeje në të ardhmen", u tha Putin gazetarëve.
Udhëheqësit evropianë vendosën të rrisin presionin mbi Rusinë përmes sanksioneve pasi Trump i informoi ata për telefonatën e tij me Putin, tha kancelari gjerman Friedrich Merz në një postim në rrjetin X.
Trump nuk dukej i gatshëm ta ndiqte këtë veprim. I pyetur pse nuk kishte vendosur sanksione të reja për të shtyrë Moskën në një marrëveshje paqeje siç kishte kërcënuar, ai tha: “Sepse mendoj se ka një shans për të arritur diçka, dhe nëse merr masa, mund ta përkeqësosh edhe më shumë situatën. Por mund të ketë një kohë kur kjo do të ndodhë".
Trump nënvizoi se nëse nuk ka përparime, do ta braktisë procesin e bisedimeve. "Kjo nuk është lufta ime", shtoi presidenti amerikan./Scan
Më të lexuarat









