Projekti i Auto-Moto Park në Elbasan, qeveria miraton mbi 3 mln euro shpronësime
Qeveria ka miratuar fondin prej gati 3 mln euro shpronësime për pronat që preken nga realizimi i projektit “Auto-moto Park” në Elbasan.
Vendimi i marrë në mbledhjen e kësaj të mërkure, vjen në një kohë kur projekti ka nisur të vihet në jetë, ndërsa kryeministri Edi Rama ka premtuar se brenda 2030 do të jetë gati për të pritur Formula1.
Mbi 3 milionë euro do të merren nga buxheti i shtetit për të shpronësuar tokat ku do të ndërtohet projekti i Auto Moto Park në Elbasan.
Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën vendimin, ndërsa fondi do të përballohet nga buxheti i shtetit.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 347 372 260 (treqind e dyzet e shtatë milionë e treqind e shtatëdhjetë e dy mijë e dyqind e gjashtëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
Për realizimin e projektit të Auto Moto Parku, një projekt i dakordësuar me Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit puna tashmë ka nisur, për ta kthyer në një nga pistat më inovatore të botës, e gjatë 4444 m ku mund të arrihet shpejtësia e 349 km.h.
Ky projekt u prezantua në mars nga kryeministri Edi Rama, i cili premtoi që brenda vitit të ardhshëm do të jetë gati, ndërsa brenda 2030 do të mirëpresë mbajtjen e garave të Formula1, një garë që mund të ndiqet brenda Auto Moto Parkut nga 300 mijë tifozë dhe që ka një audiencë prej 1 milardë shikuesisht në botë.
Po ashtu, Auto Moto Park do të jetë një motor i ri ekonomik, ku përveç pistës që do të përdoret jo vetëm për Formula 1, përfshihen hapësira për panaire, muze, retro, qendra edukative motosporti dhe qendra edukimi për sigurinë rrugore. /Shqiptarja