Secondary Adv

Monitorimi inteligjent i naftës, Albpetrol shpall fituesin e kontratës 760 mijë euro

Albpetrol ka shpallur fituesin e kontratës për zbatimin e një zgjidhjeje inteligjente LoRaWAN në infrastrukturën e saj naftënxjerrëse.

Albpetrol shpalli së fundmi fituesin për kontratën “Implementimi i Smart Solution LoRaWAN ne infrastrukturën naftënxjerrëse të Albpetrol sh.a. për periudhe 2 vjeçare” me ofertën 75.8 milionë lekë apo rreth 760 mijë euro, kompaninë VERSO.

 

Projekti në fjalë i shpallur në fund të vitit të shkuar dhe i mbyllur në shkurt të këtij viti synon implemtimin e infrastrukturës inteligjente për komunikimin dhe transmetimin e të dhënave në distanca të gjata, duke përdorur sensorë me konsum të ulët energjie (LPWAN).

 

“Ky sistem inteligjent do të funksionojë në brezat e frekuencave të pa licencuara, siç janë brezat ISM (Industriale, Shkencore dhe Mjekësore), dhe do të mbështetet në teknologjitë e Internetit të Gjërave (IoT), duke mundësuar monitorimin në kohë reale të gjendjes së naftës ne depozitat e grupeve dhe sektorëve si dhe monitorimin e orëve te punës se puseve”, thuhet në dokumentet që shoqërojnë procedurën.

 

Kompania publike e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës vlerëson se janë të paktën gjashtë aspekte që synohet të arrihen përmes kësaj forme. Konkretisht:

 

1.Qëllimi i realizimit të këtij projekti është përmirësimi i monitorimin e nivelit të naftës në depozita dhe eliminimi i disa proceseve manuale që shkaktojnë vonesa dhe gabime në përllogaritje. Kjo përfshin implementimin e një sistemi inteligjent që mundëson monitorim në kohë reale të nivelit të naftës, duke përmirësuar gjithashtu monitorimin e kohës së punës së puseve, për të shmangur humbjet në prodhim dhe vonesat në mirëmbajtje.

 

2.Një tjetër qëllim është përmirësimi i parashikimeve të furnizimit dhe kërkesës, si dhe optimizimi i menaxhimit të gjendjes në sektorin e shitjes së naftës.

 

3.Zgjidhja e propozuar përfshin një arkitekturë inteligjente me sensorë, ku përfshihen serveri i rrjetit, antenat LoRaWAN, sensorët inteligjentë për monitorimin e nivelit dhe ato të menaxhimit të energjisë, si aplikacioni inteligjent për vizualizimin dhe analizimin e të dhënave. Përdorimi i teknologjisë LoRaWAN siguron transmetim të besueshëm të të dhënave në distanca deri në 15 km në zonat rurale, duke përdorur energji të reduktuar dhe ofruar siguri të lartë të të dhënave përmes enkriptimit AES me 128-bit.

 

4.Projekti gjithashtu synon të ofrojë fleksibilitet të plotë në modelin e implementimit, duke lejuar përdorimin e sistemit si SaaS ose On-Premise, me integrim të lehtë me platformat IoT përmes API-ve të standardizuara.

 

5.Pajisjet/hardware të infrastrukturës inteligjente të monitorimit, duhet të plotësojnë specifikimet teknike për mbulim të gjerë, rezistencë ndaj kushteve ekstreme mjedisore dhe mbrojtje të nivelit IP67 për antenat dhe IP68 për sensorët. Sistemi duhet të ofrojë fleksibilitet në modelin e implementimit, duke lejuar zgjedhjen mes opsioneve SaaS dhe On-Premise, si dhe përdorimin e frekuencave ISM pa kosto shtesë, duke lejuar një funksionim pa nevojë për licencim të frekuencave.

 

6.Projekti synon të përmirësojë efikasitetin operativ, të rrisë sigurinë dhe të mbështesë vendimmarrjen strategjike, duke siguruar të dhëna të sakta dhe në kohë reale për monitorimin dhe menaxhimin e naftës në të gjitha sektorët e përfshira. /Monitor(https://monitor.al/monitorimi-inteligjent-i-naftes-albpetrol-shpall-fituesin-e-kontrates-760-mije-euro/)


Më të lexuarat