Rreth 3 milionë pasagjerë fluturuan nga Rinasi në 4 muajt e parë të vitit 2025
Aeroporti i Tiranës vazhdon rritjen e shpejtë, me numër pasagjerësh në rritje të vazhdueshme dhe mbi mesataren evropiane.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vazhdon “flururimin”, duke shënuar rritje të konsiderueshme të numrit të pasagjerëve nga muaji në muaj dhe duke u rritur ndjeshëm mbi mesataren evropiane.
Referuar shifrave të fundit të publikuara nga TIA, afro 3 milionë pasagjerë përdorën Aeroportin e Rinasit për të fluturuar në 4 muajt e parë të vitit, ose 214,215 pasagjerë më shumë se vjet, ose rreth 7.2% rritje.
Ndërsa aeroportet evropiane u rritën me 4.3% në 3-mujorin e parë referuar shifrave të publikuara nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve, ekspertët e aviacionit e kanë konsideruar 2025 një vit relativisht të vështirë për industrinë.
TIA ka vendosur si objektiv këtë vit të arrijë shifrën ambicioze prej 12 milionë pasagjerëah, pasi vjet theu rekorde rritjeje, duke arritur 10.7 milionë pasagjerë.
Rinasi ka lënë mbraoa ndërkohë të gjithë aeroportet e rajonit, përfshirë edhe atë të Beogradit, duke mbajtur edhe për ketë vit statusin e “polit ballkanik të fluturimeve”, e vërtetuar kjo edhe përmes shifrave, ku shumë shtetas nga Mali i Zi dhe Kosova udhëtojnë me makinë drejt Shqipërisë, për të fluturuar më tej nga Rinasi, kjo edhe për shkak të biletave të favorshme dhe fluturimeve low cost.
Gjithashtu, gjithnjë e më shumë kompani ajrore po fluturojnë nga TIA, duke rritur destinacionet dhe fluturimet direkte për pasagjerët.
Më 25 maj nis fluturimet, 3 herë në javë me Zagrebin, Croatia Airlines. Kjo kompani njoftoi se gjatë sezonit turistik 2025, do të ofrojë fluturime drejt 30 destinacioneve ndërkombëtare në 31 aeroporte evropiane, me mbi 18,200 fluturime dhe më shumë se 2.26 milionë vende, duke shënuar një rritje prej 18% krahasuar me vitin 2024. Në këtë hartë të rëndësishme evropiane fluturimesh përfshihet edhe Shqipëria. /ekofin.al