Secondary Adv

Bie prodhimi i energjisë në janar – mars, importi rritet me 43.4 për qind

Në janar-mars 2025, prodhimi i energjisë ra me 9.8%, ndërsa sasia në dispozicion u rrit me 3.2% falë rritjes së importeve.

Prodhimi i energjisë elektrike gjatë tremujorit të parë të këtij viti ka rënë me 9.8 për qind krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa energjia elektrike në dispozicion u rrit me 3.2 për qind.

 

Sipas bilancit të energjisë të publikuar nga Instat për tremujorin janar – mars importi i energjisë është rritur me 43.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë në 2024.

 

“Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 3,2%. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u ul me 9,8%, duke arritur vlerën 2.234 GWh nga 2.478 GWh energji të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2024.

 

Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 45,8% nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 46,3 % dhe nga të tjerë prodhues në masën 7,9% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

 

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e parë të vitit 2025, arriti vlerën 767 GWh nga 535 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rritje me 43,4%. 

 

Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 732 GWh nga 814 GWh, duke shënuar një rënie me 10,1%”, thuhet në njoftim.

 

Prodhimi i energjisë nga HEC-et private & publike

 

Sipas Instat hidrocentralet publike, në tremujorin e parë të vitit 2025, prodhuan 1.023 GWh nga 1.162 GWh të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2024, duke shënuar kështu një rënie të prodhimit me 11,9%.

 

Hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 1,035 GWh nga 1,246 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rënie të prodhimit të energjisë elektrike me 17,0%.

 

Të tjerë prodhues, prodhuan 176 GWh nga 70 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 2.5 herë. 

 

Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në tremujorin e parë të vitit 2025, ka arritur vlerën negative prej 35 GWh.

 

Humbjet në rrjet kanë arritur vlerën 478 GWh në tremujorin e parë të vitit 2025 nga 483 GWh në tremujorin e parë të vitit 2024, duke shënuar një rënie me 1,1%.

 

Pesha që zënë humbjet në rrjet në totalin e energjisë elektrike në dispozicion gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 është 21,1%, nga 22,0% që ishte në tremujorin e parë të vitit 2024.

 

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e parë të vitit 2025, u rrit me 4,4%, duke arritur vlerën 1.791 GWh nga 1.716 GWh që ishte në tremujorin e parë të vitit 2024.

 

Në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët kanë ndikuar konsumatorët familjarë, ku kemi një rritje të konsumit të energjisë elektrike me 8,7%, ndërsa energjia e konsumuar nga konsumatorët jo familjarë është ulur me 1,3%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2024./Monitor(https://monitor.al/bie-prodhimi-i-energjise-ne-janar-mars-importi-rritet-me-43-4/)


Më të lexuarat