Secondary Adv

Donald Trump shtyn për në korrik vendosjen e tarifave 50 për qind ndaj BE

Donald Trump ka rënë dakord të shtyjë tarifat 50% ndaj Bashkimit Europian dhe të zgjasë negociatat tregtare deri më 9 korrik.

Donald Trump ka rënë dakord të shtyjë tarifat 50% ndaj Bashkimit Europian dhe të zgjasë negociatat tregtare deri më 9 korrik, pas një bisede të dielën me presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

 

Trump tha se von der Leyen kishte kërkuar një zgjatje, dy ditë pasi presidenti i SHBA-së tha se do të vendoste tarifat e larta mbi importet e BE-së nga 1 qershori, në përgjigje të asaj që ai i quajti negociata të pakënaqshme me Brukselin.

 

“Ajo tha se dëshiron të fillojë negociata serioze,” u tha Trump gazetarëve. “Patëm një telefonatë shumë të këndshme dhe unë pranova të shtyj datën.”

 

“Ajo tha se do të takohemi shpejt dhe do të shohim nëse mund të gjejmë një zgjidhje.” Von der Leyen më parë tha në një postim në mediat sociale, se pati një “bisedë të mirë” me presidentin e SHBA-së dhe se BE ishte gati të përparonte në bisedimet tregtare “shpejt dhe me vendosmëri”, por kishte nevojë që Trump të kthehej në periudhën fillestare të negociatave 90-ditore.

 

“Për të arritur një marrëveshje të mirë, do të na duhej kohë deri më 9 korrik”, tha von der Leyen në një postim në mediat sociale.

 

Kërcënimi i Trump për tarifa 50%, i bërë tre ditë më parë, përfaqësonte një përshkallëzim të madh në luftën tregtare transatlantike dhe i trembi negociatorët europianë. Presidenti i SHBA-së kishte ndaluar vendosjen fillestare të tarifave 20% kundër BE-së në prill, për të filluar një negociatë 90-ditore, që ishte caktuar të përfundonte më 9 korrik.

 

Euro u forcua 0.4% kundrejt dollarit të hënën, ndërsa kontratat e së ardhmes të aksioneve të kompanive europiane u rritën. Kontratat, që ndjekin indeksin Stoxx 50 u rritën me 1.7%, ndërsa ato për indeksin Dax të Gjermanisë u rritën me 1.6%.

 

Deklarata e Von der Leyen sugjeroi një ndryshim të mundshëm në qëndrimin e komisionit drejt gjetjes së një kompromisi. Të premten, kryenegociatori tregtar i von der Leyen, Maroš Šefčovič, bëri thirrje për “respekt të ndërsjellë, jo kërcënime” dhe tha se Brukseli do të “mbrojë interesat tona” në përgjigje të përshkallëzimit të situatës nga Trump.

 

Pasi Trump kërcënoi të vendoste tarifat 50%, sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha: “Shpresoj që kjo do të ndezë zjarr nën BE”.

 

Zyrtarët nga të dyja palët kanë pranuar mungesën e përparimit në bisedimet BE-SHBA, pasi negociatorët i përmbahen qëndrimeve të mbajtura prej kohësh. Trump e ka sulmuar BE-në për atë, që ai pretendon se janë praktika të padrejta tregtare, ndërsa zyrtarët e BE-së thonë se SHBA-të refuzojnë të marrin në konsideratë suficitin e tyre të madh të shërbimeve me bllokun.

 

Në rast se Trump e zbaton kërcënimin e tij, BE ka përgatitur një paketë tarifash prej 21 miliardë eurosh për artikujt amerikanë si misri, gruri, motoçikletat dhe veshjet, dhe po diskuton gjithashtu një listë shtesë me vlerë 95 miliardë euro të objektivave të tjerë, duke përfshirë avionët Boeing, makinat dhe uiski burbon.

 

/Monitor (https://monitor.al/donald-trump-shtyn-per-ne-korrik-vendosjen-e-tarifave-50-ndaj-be/)


Më të lexuarat