Secondary Adv

Raporti GAP: Masat e BE-së ndaj Kosovës pezulluan mbi 600 mln euro projekte, 7.1 mln të humbura

Masat e BE-së ndaj Kosovës kanë pezulluar projekte me vlerë mbi 613 milionë euro, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur përfundimisht.

Masat e Bashkimit Europian ndaj Kosovës kanë rezultuar në pezullimin apo shtyrjen e projekteve me një vlerë totale prej rreth 613.4 milionë euro, të cilat ishin buxhetuar por nuk janë kontraktuar ende. 7.1 milionë euro nga kjo shumë e përgjithshme janë humbur tërësisht.

 

Kosova vazhdon të mbetet nën masat ndëshkuese që Bashkimi Europian i ka vendosur tash e dy vite.

 

Si pasojë e këtyre masave shumë projekte janë pezulluar. Instituti GAP ka dalë me një raport rreth ndikimit që këto masa kanë për Kosovës.

 

Sipas këtij raporti, rreth 613.4 milionë euro projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar rezultojnë si pasojë e masave të vendosura nga Bashkimi Europian ndaj Kosovës.

 

Në raportin “Ndikimi financiar i masave të Bashkimit Europian ndaj Kosovës”, theksohet se 7.1 milionë euro nga kjo shumë e përgjithshme janë humbur tërësisht për shkak të kalimit të afateve të lejuara për nisjen e procedurave për projekte të caktuara.

 

“Nga qershori i vitit 2023, Bashkimi Europian (BE) ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet dypalëshe dhe në mbështetjen financiare nga Bashkimi Europian (BE). Masat e vendosura nga Bashkimi Europian ndaj Kosovës kanë rezultuar me pasoja të theksuara financiare dhe zhvillimore, duke i kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për një afat të pacaktuar. Brenda kësaj shume, për shkak të kalimit të afateve të lejuara për nisjen e procedurave për projekte të caktuara, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht”.

 

Sektorët më të prekur, sipas raportit të Institutit GAP përfshijnë mjedisin me 350.7 milionë euro, energjinë me 114.4 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro dhe kulturën me 15 milionë euro.

 

Për më tepër, është pezulluar puna e organeve brenda Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila ishte ndërprerë deri në maj të vitit 2025.

 

Po ashtu, janë pezulluar fondet për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), ndërsa propozimet nga Kosova në Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) nuk po shqyrtohen nga bordi përkatës.

 

Sipas Institutit GAP, këto masa përbëjnë një rrezik serioz për ecurinë e reformave dhe zhvillimin ekonomik të vendit, duke prekur drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve

 

“Nga gjithsej mjetet e ndikuara nga masat, rreth 218 milionë euro janë projekte në kuadër të IPA (IPA II dhe IPA III) dhe rreth 395.5 milionë euro janë projekte në kuadër të WBIF. 

 

Realizimi i këtyre projekteve ishte parashikuar të financohej përmes granteve dhe kredive, me një kontribut prej rreth 421 milionë euro nga Bashkimi Europian, afërsisht 162 milionë euro nga palët e treta sikurse institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe vetëfinancim në vlerën prej 31 milionë euro”, thuhet tutje në raport.

 

-Nga qershori i vitit 2023, Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet dypalëshe dhe në mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian (BE).

 

-Masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës kanë rezultuar me pasoja të theksuara financiare dhe zhvillimore, duke i kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për një afat të pacaktuar.

 

Puna e organeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) ishte ndërprerë deri në maj të vitit 2025.

 

Fondet për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) janë pezulluar.

 

Propozimet e Kosovës në Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) nuk janë duke u shqyrtuar nga Bordi i WBIF.

 

Humbjet e mundshme për sektorë kyç:

-Mjedisi – 350.7 milionë €

-Energjia – 114.4 milionë €

-Digjitalizimi – 57 milionë €

-Kultura – 15 milionë €.

 

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ditë më parë ka thënë se fondet që Kosova do t’i përfitojë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE) nuk do të humbin si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.

 

Ai ka thënë se në procesin e draftimit dhe negocimit të agjendës së reformave, Qeveria e Kosovës u është përmbajtur të gjitha afateve të paracaktuara nga Komisioni Evropian, duke dorëzuar, siç ka thënë, dokumentet e nevojshme në kohë dhe me cilësi./Monitor(https://monitor.al/raporti-gap-masat-e-be-se-ndaj-kosoves-pezulluan-mbi-600-mln-euro-projekte-7-1-mln-te-humbura/)


Më të lexuarat