Secondary Adv

Teprica e kapitalit të sektorit bankar ra në 35 miliardë lekë gjatë vitit 2024

Teprica e kapitalit të sektorit bankar arriti në nivelin 35 miliardë lekë në fund të vitit të kaluar. 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, teprica e kapitalit u rrit me rreth 11 miliardë lekë ose 24% krahasuar me një vit më parë.

 

Kjo shifër konsiston në diferencën mes kapitalit faktik të sektorit bankar dhe kapitalit minimal që ai duhet të ketë, mbështetur në kërkesat rregullatore të Bankës së Shqipërisë.

 

Një tepricë kapitali tregon aftësinë e sektorit bankar në tërësi për t’iu përgjigjur nevojave të mundshme shtesë për kapital. Ecuria e tepricës së kapitalit përcaktohet nga ecuria e fitimit të bankave, sjellja e elementeve të kapitalit rregullator dhe kërkesat rregullatore që duhet të përmbushen.

 

Banka e Shqipërisë vlerëson se, në fund të 2024, sektori bankar rezultonte me një tepricë pozitive të kapitalit të mjaftueshme për përmbushjen e kërkesave rregullative në fuqi, por kjo tepricë është zvogëluar në krahasim me një vit më parë.

 

Me qëllim forcimin e vazhdueshëm të pozitave të kapitalit, bankat kanë injektuar kapital, kanë rritur fitimet e pashpërndara dhe kanë shtuar përdorimin e borxhit të varur. Këto elemente kanë përmirësuar treguesit e kapitalit.

 

Aktualisht, bankat me rëndësi sistemike (deri në fund të 2024 ishin BKT, Credins, Raiffeisen dhe OTP Albania), duke qenë subjekte të përmbushjes edhe të kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL), zotërojnë një tepricë kapitali më të ulët në krahasim me bankat e tjera.

 

Në fund të 2024, teprica e kapitalit për këto banka shënonte 11 miliardë lekë, ose 6 miliardë lekë më pak se teprica e një viti më parë.

 

Bankat e tjera të sistemit rezultuan me një tepricë kapitali prej 24 miliardë lekësh, rreth 4 miliardë lekë më pak se teprica e një viti parë.

 

Në fakt, kapitali rregullator i sektorit bankar vazhdoi rritjen edhe gjatë vitit të kaluar, duke arritur vlerën e 207.2 miliardë lekëve, 10.7% më shumë krahasuar me një vit më parë. Por, ngushtimi i tepricës së kapitalit erdhi për shkak të rritjes së mëtejshme të kërkesave minimale për kapital nga Banka e Shqipërisë.

 

Raporti minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar është 12%, por pas vitit 2019 ka nisur aplikimi i shtesave të tjera të lidhura me kuadrin e ri makroprudencial, si edhe atë për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme.

 

Kjo i ka rritur ndjeshëm kërkesat për kapital, duke ndikuar edhe në një rritje graduale të niveleve mesatare të këtij treguesi për sektorin dhe, nga ana tjetër, duke tkurrur vlerën e tepricës së kapitalit. /Monitor(https://monitor.al/teprica-e-kapitalit-te-sektorit-bankar-ra-ne-35-miliarde-leke-gjate-vitit-2024/)


Më të lexuarat