Zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës, realizohen 50 per qind e punimeve
Aktualisht, punimet e fazës së dytë për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës, kanë ecur me ritme shumë të mira ku realizimi fizik ka arritur në masën 50%.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, është punuar për ndërtimin e shtresave asflatike në krahun e majtë (drejtimi Tiranë-Durrës) ku është bërë devijimi i qarkullimit të levizjes së mjeteve duke përdorur zgjerimin e ri pranë mbikalimit të Rinasit, me qëllim vazhdimësinë e punimeve në aksin rrugor ekzistues.
Devijimi është i pajisur me sinjalistikë të përkohshme në përputhje me standardet e sigurisë rrugore. Autoriteti Rrugor Shqiptar, thekson se punimet do të vijojnë në krahun e djathtë të këtij segmenti rrugor me ndërtimin e shtresave asfaltike.
Gjatë një inspektimi të punimeve pak më shumë se një muaj më parë, së bashku me kryeministrin Edi Rama, numri dy i qeverisë, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh se zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës në 5 km e parë synohet të përfundojë në dhjetor të këtij viti.
Pas zgjerimit të superstradës, shpejtësia e lejuar për qarkullimin e automjeteve do të jetë 90-140 km/h. Sipas projektit, kjo rrugë do të shtohet me nga 2 korsi në secilin kah lëvizjeje, duke bërë që në total të arrihet në 8 korsi./Scantv