Nisin punimet per sheshin e qytetareve dhe rikonstruksioni i rruges hyrese ne Lushnje
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Turizmit Eglantina Gjermeni ishin sot në Lushnje, për të prezantuar programin kombëtar ‘Rilindja Qytetare’. Në bazë të këtij programi janë parashikuar edhe dy investime të mëdha, si ai i rivitalizimit të sheshit kryesor të qytetit si dherikonstruksioni total i rrugës hyrëse në Lushnje.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se se tashmë me rishikimin e buxhetit, i cili pas 5 vitesh ka rezultuar me rritje, do të financohen 51 projekte. Në sajë të realizimit të këtyre projekteve, Rama theksoi se do të rivitalizohet sheshi qendror i qytetit, duke bërë të mundur kështu që edhe rruga lidhëse mes Lushnjes dhe qytetit turistik të Beratit të rikonstruktohet.
Rivitalizimi i sheshit dhe rikonstruksioni i rruges hyrese ne Pluk-Lushnje
Sa i përket rrugës hyrëse të qytetit, Rama bëri të ditur se ajo do të rikontruktohet për t’i dhënë Lushnjes pamjen e një prej qyteteve kryesore të vendit. “Por në të njëjtën kohë për realizimin e këtij sheshi do të ishte i mangët edhe qoftë si hap i parë, pa rrugën hyrëse. Ju vetë e dini se në çfarë gjendje të paimagjinueshme është rruga hyrëse e Lushnjës, që nuk ka lidhje fare me rrugën hyrëse në një qytet kryesor për Shqipërinë, por që ishte katandisur në një shteg të mbushur me gropa, me baltë dhe më ndërtime të shëmtuara e të paligjshme në dy anët e saj. Ndaj, që nga rreth rrotullimi i Plugut deri tek rruga e hyrjes dhe tek momenti kur rruga bashkohet me qytetin, ne kemi vendosur të investojmë për të sjellë një transformim shumë të rëndësishëm.
E, jam i bindur që të dy këto projekte sëbashku do të funksionojnë më së miri për të çuar pastaj më tutje punën me projekte të tjera. Tani, falë rishikimit të buxhetit, po diskutojmë edhe për rrugën që lidh Lushnjën me Karbunarën, që ju e dini shumë mirë, është një tjetër rrugë skandaloze. Dhe, investimi në atë rrugë do të na japë përsëri një vlerë të shtuar, jo thjeshtë nga pikëpamja e komoditetit, por edhe nga pikëpamja ekonomike dhe pikëpamja sociale.” tha Kryeministri Rama
Këta dy investime në qytetin e Lushnjes, parashikohen të përfundojnë brenda 7 muajve të ardhshëm dhe do të kenë një vlerë prej rreth 237 milionë lekësh, për të sjellë një model urban që përmbush standardet bashkëkohore. Më konkretisht, janë 18,000 m2 sipërfaqe e sheshit qendror dhe 1060 metra rrugë, aktualisht në gjendje të amortizuar, dhe që pritet të rikonstruktohen, ku për sheshin qendror të Lushnjes është parashikuar investimi prej rreth 129 805 811 lekësh ndërsa për rrugën hyrëse të qytetit, një investim prej rreth 107 574 705 lekësh.