Referencat për hotelet, Tatimet udhëzojnë bizneset si ti lëshojnë faturat saktë
Administrata Tatimore ka sqaruar së fundmi si duhet të lëshojnë faturat hotelet, pas vendimit që përcakton referencat sipas kapacitetit dhe sezonit.
Pak muaj nga miratimi i vendimit që vendoste referenca për strukturat akomoduese sa i takon kapacitetit të shfrytëzimit duke e ndarë vitin në dy periudha, Administrata Tatimore sqaroi së fundmi specifikat që duhet të kenë faturat që lëshojnë hotelet për ta lehtësuar raportimin.
Kjo lidhej me elementë të tillë si vendosja e emërtimit “dhomë” në përshkrimin e artikullit, specifikimi i qartë I kohëzgjatjes apo ndarja e qartë e shërbimeve që përfitojnë më pas nga TVSH-ja e reduktuar në nivelin 6 për qind.
“Në prag të sezonit veror, Administrata Tatimore rikujton të gjithë tatimpaguesit me aktivitet strukturat akomoduese, të ndjekin udhëzimet e mëposhtme për të siguruar zbatimin efektiv të VKM-së nr. 160 datë 12.03.2025 “Për përcaktimin e periudhës së shfrytëzimit dhe të nivelit minimal të kapacitetit të shfrytëzimit të strukturave akomoduese” dhe për të lehtësuar procedurat e raportimit.
- PËRDORNI EMËRTIMIN E SAKTË NË FATURAT PËR SHËRBIMIN E AKOMODIMIT
Në faturat e lëshuara dhe të fiskalizuara për shërbimin e akomodimit, ju lutemi të siguroheni që përshkrimi i artikullit në faturë të fillojë detyrimisht me emërtimin “Dhomë”.
- SPECIFIKONI QARTË KOHËZGJATJEN
Është thelbësore që në çdo faturë të specifikohet saktësisht numri i ditëve apo netëve të qëndrimit në strukturën akomoduese, duke shmangur përshkrime të përgjithshme si “paketë javore” apo “ditore”.
- NDANI QARTË SHËRBIMET
Në faturat e lëshuara duhet të jetë i ndarë qartë çmimi i përcaktuar për shërbimin e akomodimit nga shërbimet e tjera (restorant/çadra/shezlongë/pishinë), përveç rasteve kur shërbimi i akomodimit ofrohet në paketë të përcaktuar me shërbime shtesë. Subjektet që ofrojnë shërbimin e tyre dhe në stacione plazhi, të mundësojnë lëshimin e faturës për çdo shezlong/ çadër.
- APLIKONI SAKTË SHKALLËN E TVSH-së
Ju sjellim në vëmendje se shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar prej 6% aplikohet vetëm për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit si dhe përcaktimeve mbi Ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Administrata Tatimore ju nxit të ndërmerrni hapat e mësipërm me qëllim lehtësimin e përmbushjes me sukses të detyrimeve tatimore dhe thekson se zbatimi i këtyre udhëzimeve:
- Siguron përputhshmëri me kërkesat ligjore;
- Lehtëson procedurat e raportimit dhe shmang verifikimet;
- Mundëson përfitimin e saktë të shkallës së reduktuar të TVSH-së;
- Kontribuon në formalizimin e sektorit të turizmit” thuhet në njoftimin e Tatimeve./Monitor(https://monitor.al/referencat-per-hotelet-tatimet-udhezojne-bizneset-si-ti-leshojne-faturat-sakte/)