Secondary Adv

Pallati i sportit në Korçë, FSHZH tender 250 mln lekë për transformimin në qendër rajonale

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur hapjen e tenderit për transformimin e pallatit të sportit "Tamara Nikolla", Korçë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur hapjen e tenderit me objekt investime për transformimin e aseteve publike, me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit: “Rikonstruksion objekti ekzistues i pallatit të sportit "Tamara Nikolla", Korçë. Fondi limit i përllogaritur i këtij projekti arrin shifrën 250 milionë lekë.

 

Sheshi i ndërtimit ndodhet në pjesën veriore të qytetit të Korçës. Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, do të rikonstruktohet objekti ekzistues i Pallatit të Sportit "Tamara Nikolla", shtesë një kat mbi objektin ekzistues në Korçë, duke e transformuar këtë aset publik në një qendër multifunksionale që i përgjigjet kërkesave të kohës për zhvillimin e aktiviteteve sportive kombëtare dhe rajonale.

 

Ndërkohë, rikonstruksioni i ndërtesës do të bëhet duke ruajtur volimin e objektit të pallatit të sportit dhe elementëve arkitektonikë të fasadës, që e dallojnë për tipologjinë dhe kohën kur është ndërtuar dhe synon përmirësimin e qëndrueshmërisë së objektit ekzistues.

 

Ky objekt nuk do të shërbejë vetëm për ndeshje kombëtare, por dhe për ndeshje në nivel Ballkani duke krijuar një pikë referimi për zhvillimin e sportit në Shqipëri.

 

Ky objekt ka funksion aktivitete sportive për lojëra me dorë, si basketboll dhe volejboll. Në dokument theksohet se, synohet të riorganizohet dhe të shtohen ambiente me qëllim funksionimin e një skeme optimale për përmirësimin e standardeve që objekti do të ofrojë. Ndërhyrjet funksionale janë kryesisht në pjesën hyrjes, ku në pjesën e hollit riformulohen hapësira të reja, si: muze; bar-kafe; dyqan; holl; shtesë një kat; zyra dhe ambiente të tjera ndihmëse dhe ashensor.

 

Nga ana tjetër, ky projekt do të sjellë përmirësimin e kushteve teknike bazuar mbi standarde kombëtare dhe ndërkombëtare duke iu referuar normativave të kërkuara nga FIBA dhe FIVB, si pajisjet, instalimet dhe çdo gjë që lidhet me përmirësimin e komoditetit termik, akustik, sigurinë ndaj zjarrit etj. Ofertat duhet të paraqiten deri më datën 16 qershor 2025.


Më të lexuarat