Secondary Adv

18 për qind e banesave të shitura në 6-mujorin e dytë 2024 u blenë nga të huajt

Shoqëritë e ndërtimit dhe agjentët imobiliarë mbeten motorët kryesorë të zhvillimit të tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve, kërkesa e lartë, investimet e huaja dhe trendet pozitive për të ardhmen i pozicionojnë këta aktorë si thelbësorë në ekonominë urbane dhe zhvillimin rajonal.

 

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë mbi gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024 përfshin një  kampion të përzgjedhur nga INSTAT, me 230 subjekte (ose 75%-80% të tregut).

 

Në gjashtëmujorin e dytë të 2024 janë shitur 863 prona, me një mesatare prej 5 shitjesh për subjekt. Gjysma e këtyre shitjeve janë mbështetur nga hua bankare, duke reflektuar qasje të kujdesshme nga ana e blerësve, ndërsa 18% e banesave janë blerë nga jorezidentë, ku 77% i përkasin vendeve të Bashkimit Evropian.

 

Tirana dhe bregdeti, zonat me potencial të lartë

 

Ndërtuesit dhe agjentët kanë përqendruar veprimtarinë e tyre kryesisht në zonat periferike të Tiranës, ku janë shënuar rritje të larta të çmimeve, por edhe të numrit të shitjeve. Në të njëjtën kohë, zonat bregdetare si Durrësi, Vlora dhe Saranda po tërheqin gjithnjë e më shumë interes, si nga blerësit vendas, ashtu edhe nga të huajt.

 

Kohëzgjatja e shitjes ka rënë ndjeshëm në kryeqytet (7.1 muaj nga 9.7 më parë), duke reflektuar kërkesë të lartë dhe efikasitet të agjentëve në përmbylljen e transaksioneve. Në zonat e tjera, koha mesatare për shitje është ulur në 11.6 muaj.

 

Përfaqësuesit e shoqërive ndërtuese dhe agjentët imobiliarë janë optimistë për të ardhmen, si në planin afatshkurtër (gjashtëmujorin e ardhshëm), ashtu edhe në planin afatgjatë (deri në dy vjet). Ata presin rritje të mëtejshme të çmimeve dhe zgjerim të numrit të pronave për shitje, veçanërisht në Tiranë dhe në zonat bregdetare, më konkretisht 56 % presin qëndrueshmëri, ndërsa 39% presin rritje të çmimit të banesave. Vetëm 4% presin që këto çmime të ulen.

 

Po kështu, edhe aktiviteti i tregut të qirasë ka qenë i përqendruar në kryeqytet, ku çmimet e qirasë kanë pësuar rritje. Kërkesa për prona me qira, si për banesa, ashtu edhe për hapësira tregtare, është në rritje, çka tregon për një stabilitet të qëndrueshëm të sektorit edhe jashtë shitblerjes./ekofin.al


Më të lexuarat