Banka e Shqipërisë forcon mbikëqyrjen, krijon zyrën për parandalimin e pastrimit të parave
Banka e Shqipërisë zgjeron mjetet e saj rregullatore dhe mbikëqyrëse për tregjet financiare, duke forcuar më tej departamentin e mbikëqyrjes.
Ndryshimet e ndërmarra në rregulloren “Për organizimin dhe funksionimin e Departamentit të Mbikëqyrjes” synojnë një strukturë të orientuar drejt mbrojtjes së integritetit financiar nëpërmjet mbikëqyrjes më të sofistikuar dhe të specializuar.
Ndryshimet kryesore në strukturën e sektorit të Mbikëqyrjes së Rreziqeve, tashmë përfshijnë Zyrën e Rrezikut të Kredisë; Zyrën e Rrezikut të Likuiditetit dhe Tregut; Zyrën e Rrezikut Operacional si dhe Zyrën e Rrezikut Reputacional.
Por Banka ka realizuar edhe krijimin e Zyrës për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (PPPFT) brenda këtij sektori, duke i dhënë një rol të specializuar dhe të zgjeruar në mbikëqyrjen financiare. Ajo do të jetë e orientuar drejt vlerësimit, monitorimit dhe përputhshmërisë ligjore të institucioneve financiare, me qëllim minimizimin e rrezikut nga veprimtari të paligjshme.
Detyrat e Zyrës do të përfshijnë inspektimet dhe kontrollet në terren për të vlerësuar rrezikun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit për subjekte të veçanta apo grupe subjektesh, duke kryer vlerësime cilësore dhe sasiore sipas metodologjisë së riskut për të cilat përgatit raportin përkatës.
Zyra gjithashtu do të kryejë inspektime horizontale në disa banka ose subjekte financiare njëkohësisht, si dhe do të ndjekë përputhshmërinë e bankave apo grupeve bankare me kuadrin ligjor dhe rregullativ për PPPFT.
Për më tepër ajo ka të drejtën të propozojë ndryshime në rregullore dhe metodologji për vlerësimin e rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit për përmirësimin e kuadrit rregullator.
Zyra do të grumbullojë dhe analizojë të dhëna të subjekteve financiare për monitorimin e riskut në nivel sistemi, si dhe do të raportojë në mënyrë të rregullt te Përgjegjësi i Sektorit të Mbikëqyrjes së Rreziqeve për të gjitha çështjet që ajo trajton. /ekofin.al