Secondary Adv

BE grant 50 mln euro për energjinë e rinovueshme, stacione karikimi dhe panele diellore për familjet

Bashkimi Evropian do të japë 50 milionë euro për Shqipërinë me fokus tek energjia e rinovueshme.

Zëvendësministri i Infrastrukturës Emi Kozeli sqaroi në komisionin e Veprimtarive prodhuese, se fondet do të përdoren për stacione karikimi për mjetet elektrike, panele diellore për familjet dhe rritje të efeciencës së energjisë për ndërtesat publike në 4 bashki.

 

8 mijë familje në bashkitë Shkodër, Berat, Përmet dhe Korçë pritet të përfitojnë grante nga Bashkimi Evropian për të instaluar panele diellore. Në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese u shqyrtua marrëveshja me BE për një projekt me kosto 79 milionë euro për energjinë e rinovueshme ku 50 milionë euro është grant nga BE.

 

“Synojmë rritjen e efeciencës publike në ndërtesat publike në katër bashki duke ulur emetimet dhe duke zhvilluar energjinë e rinovueshme. Programi përfshin instalimin e paneleve fotovoltaike dhe kolektorëve diellor si dhe parashikohen të jenë 8 mijë familje përfituese nga skema grantesh”, tha Ami Kozeli Zëvendësministër në MIE.

 

Zëvendësministri i Infrastrukturës tha në komision se ky program do të stimulojë edhe përdorimin e mjeteve elektrike.

 

“Fusha e dytë është infrastruktura për automjetet elektrike, synohet ulja e emetimeve të karbonit. Do të realizohet instalimi i 130 stacioneve të karikimit të shpejtë në akset kryesore të vendit”, tha Kozeli.

 

Dy fushat e tjera që do të financohen me këtë fond janë eficienca energjisë në ujësjellës dhe asistenca teknike për këto projekte.

 

“Eficenca e energjisë në sektorin e ujit ku synohet rritja e efeciencës në 7 ndërmarrje të ujësjellës kanalizimeve, përmirësimi i sistemeve të pompimit si dhe do të instalohen sisteme të vogla fotovoltaike të pavarura me një kapacitet total të kombinuar deri në 15 MË”, tha zëvendësministri.

 

Ky grant i BE vjen në kuadër të fazës përgatitore që vendi po kalon për tu bërë pjesë e BE, dhe ndahet në 4 këste deri në vitin 2027.

 

GRANTI I BE-SË

Për 2024 -  4 000 000 Euro

Për 2025 - 15 000 000 Euro

Për 2026 - 18 000 000 Euro

Për 2027 - 13 000 000 Euro

 

Po ashtu Komisioni i Veprimtarisë miratoi edhe kredinë prej 45.7 milionë euro që BERZH ka dhënë për OSHEE-në për të shlyer huatë që kjo e fundit ka pranë bankave tregtare në Shqipëri. /Shqiptarja


Më të lexuarat