Pastrimi dhe largimi i mbetjeve në Sarandë, 1.3 mln euro për shërbimin
Pastrimi i qytetit dhe largimi i mbetjeve në qytetin turistik të Sarandës parashikohet t’i kushtojë bashkisë 1.3 milionë euro për 12 muaj.
Kjo e fundit çeli një procedurë prokurimi duke vendosur kushte për kontraktorët lidhur me shërbimet që duhet të kryejnë, si dhe oraret në të cilat duhet të bëhet kjo duke pasur parasysh edhe sezonin.
Konkretisht shërbimi është i ndarë në dy periudha tetor-maj dhe qershor-shtator duke mbajtur parasysh pikërisht edhe sezonin turistik.
“Në mënyrë që të realizojmë nevojat e territorit me shërbimin e pastrimit, duke patur parasysh specifikat që ka bashkia Sarande shërbimet janë organizuar dhe llogaritur për dy periudha. Periudha e parë është ajo që përfshin kryerjen e shërbimit gjatë muajve tetor – maj dhe periudha e dytë qershor – shtator” thuhet në specifikimet e bashkisë.
Lidhur me oraret e shërbimit Bashkia specifikon se grafikët për largimin e mbeturinave që do të paraqiten për miratim, duhet të përgatiten në mënyrë që të gjitha punimet të kryhen brenda orëve të natës, duke filluar jo më parë se ora 19.00, me qëllim që në orën 7.00 zona e kontraktuar të jetë krejtësisht e pastër.
“Ndryshimet në orarin e operimit dhe përfundimit të shërbimit në zonë, do të pranohen vetëm për shkak të pamundësisë objektive të kryerjes së shërbimit të parashikuar si dhe në rastet e ndryshimit të orarit për rrugët tregtare, por gjithmonë pasi të jenë verifikuar dhe miratuar zyrtarisht nga autoriteti kontratues, ndryshimet në Grafikun e Punimeve”, thuhet në dokument.
Bashkia që në këtë rast është autoriteti kontraktor nënvizon se ka parashikuar paraprakisht të gjitha pikat e grumbullimit të mbetjeve për vendosjen e 471 kontejnerëve me volum 1.1 m3, brenda zonës së kontraktuar dhe 50 kontejnerëve plastike 0.25 m3, 60 kontejner 0.05 m3 si dhe 350 kontejnerë metalikë 0.25 m3. Operatori i shërbimit duhet të kryejë shërbimin e plotë të parashikuar në metodologji, 471 zbrazje kontejnerësh/ditë.
Kompania që do të lidhë kontratën pas përfundimit të procedurave të prokurimit do të duhet që përveç mbledhjes grumbullimit dhe transportit të mbetjeve në landfillin e Bajkalit të kujdeset gjithashtu për fshirjen e rrugëve të qytetit si dhe larjen e rrugëve dhe shesheve.