Secondary Adv

Pagesat rregullatore për 2025, ERE llogarit detyrimet për 318 subjekte

Enti rregullator i Energjisë ka miratuar pagesat rregullatore që subjektet e licencuar prej tij kanë detyrimin e pagesës për çdo vit ku për vitin 2025 janë të paktën 318 subjekte.

Në një vendim të fundit të majit Enti sqaron afatet që ka secili prej subjekteve për të kryer pagesën  si dhemënyrën sesi përllogaritet detyrimi ku bazë janë pasqyrat financiare të vitit 2024. 

“Me qëllim mbledhjen e të dhënave që do të shërbenin për përllogaritjen e pagesave rregullatore për vitin 2025, ERE, gjatë periudhës janar – mars 2025, me shkresa dhe email-e të protokolluara me lëndë “Kërkohet depozitimi i pasqyrave financiare të plota për vitin 2024” dhe “Kërkesë për informacion”, u ka rikujtuar të gjithë subjekteve të licencuara përmbushjen e detyrimit për depozitimin e pasqyrave financiare dhe formularëve të deklarimit të të ardhurave për vitin 2024, duke mbajtur në konsideratë ndarjen e llogarive sipas veprimtarive të licencuara dhe për çdo aktivitet tjetër jashtë sektorit të energjisë elektrike, në zbatim të përcaktimeve të nenit 35, pika 1 dhe nenit 46, pika 1 të Ligjit nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, i ndryshuar, me qëllim shmangien e ndërsubvencionimit dhe cënimit të konkurrencës” thuhet në parashtrimin e Entit.  

I njëjti vendim sqaron se llogaritja e pagesave rregullatore për secilin të licencuar është bërë mbi bazën e peshës specifike të të ardhurave nga aktiviteti i licencuar për vitin 2024 në raport me totalin e të ardhurave të sektorit, si dhe në përputhje me vlerën për t’u shpërndarë të miratuar me vendimin nr. 62/2025 të bordit të ERE-s.  

“Për subjektet që nuk kanë zhvilluar aktivitet apo që nuk kanë paraqitur pasqyrat financiare sipas detyrimeve ligjore, është aplikuar pagesa fikse prej 100,000 lekësh, në përputhje me pikat 5.2 dhe 6.3 të rregullores përkatëse” thuhet në vendim.  

Enti ka nënvizuar se diferencat që rezultojnë nga Pasqyrat Financiare të certifikuara për vitin 2024, do të konsiderohen në llogaritjen e pagesave të rregullimit të periudhës pasardhëse.  

ERE në pikën dy të vendimit përcakton se licencuarit subjekt i këtij vendimi (sipas tabelës bashkëlidhur) duhet të kryejnë pagesat rregullatore ndaj ERE, jo më vonë se 30 ditë nga botimi në Fletoren Zyrtare të këtij vendimi, në të kundërt, do të jenë subjekt i aplikimit të masave administrative sipas kuadrit ligjor në fuqi që në disa raste shkon deri në heqjen e licencës. / Monitor(https://monitor.al/pagesat-rregullatore-per-2025-ere-llogarit-detyrimet-per-318-subjekte/)


Më të lexuarat