Kryeministri Edi Rama drejtoi sot mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, në të cilën u diskutua mbi ndihmën shtetërore të vënë në dispozicion për mbështetjen ndaj biznesit.
Sipas kreut të qeverisë, për vite me radhë ajo ka qenë tërësisht e keqadministruar, e përdorur në kundërshtim të hapur me legjislacionin e BE, si dhe në favorizim të konkurrencës së padrejtë. “Vlera e ndihmës shtetërore në Shqipëri gjatë viteve 2007-2012 ka qënë pothuajse sa fatura që qeveria e kaluar la si borxhe të papaguara për investime apo shërbime të mara nga të tretët. Në këtë rast 631 milion euro. Ajo që ka qenë një problem serioz në këndvështrimin tonë, është se shteti shqiptar e përdorte ndihmën në kundërshtim të hapur me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe si favorizim shpesh herë për konkurrencën e padrejtë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se në tre vitet e fundit ka një orientim të ri të politikave të ndihmës shtetërore drejt mbështetjes së sektorëve prioritarë dhe koordinimit të tyre me politikat fiskale dhe ato të punësimit.“U rishikuan politikat e ndihmës shtetërore për të riorientuar mbështetjen e sektorëve prioritar dhe për të koordinuar këto ndihma me politikat fiskale dhe ato të punësimit. Për herë të parë ne kemi krijuar një mekanizëm që lidh ngushtë ndihmën shtetërore me punësimin, duke ndihmuar ata sektorë që garantojnë më shumë punësim për shqiptarët. Në vitin 2015 sektorët që përfituan më shumë nga ndihma shtetërore ishin bujqësia me 25 % të totalit, ujësjellës-kanalizime me 7%, transporti me 7% dhe pastaj nxitja e punësimit me 4.6%”, tha Rama.