KQZ nis përgatitjet për rinumërimin e plotë të votave për qarkun e Tiranës
Në KQZ ka nisur përgatitja për rinumërimin e plotë të votave të zgjedhjeve të 11 majit në Qarkun e Tiranës, duke kthyer procesin e numërimit në zero.
U bë me dije se do të rinumërohen 1282 kuti votimi dhe pritet të përcaktohet vendi dhe koha e saktë ku do të zhvillohet ky proces, me mundësinë që ai të zhvillohet në Parkun Olimpik.
Rinumërimi do të kryhet nga punonjës të administratës së KQZ-së, duke përfshirë votat për partitë politike dhe më pas votat preferenciale. Në këtë proces do të rinumërohen edhe votat preferenciale të Koalicionit Shqipëria Madhështore në qarkun Dibër.
Gjatë këtyre ditëve komisioni zgjedhor duhet të gjejë një vend të përshtatshëm ku do të hapen 1282 kutitë e Tiranës, dhe 44 kuti të Dibrës. Mësohet se po negociohet sërish me federatat sportive për të marrë sërish në përdorim Parkun Olimpik ku u numërua vota e diasporës. Dhjetëra punonjës do të rekrutohen për të rinumëruar Tiranën, e cila ka gati 450 mijë fletë votimi që do të kontrollohen dy herë, raundi i parë për votën e partive, e raundi i dytë për votën mes kandidatëve.
Po ashtu KQZ-së i duhet të bëjë gati pjesën teknike, energjinë elektrike, tavolina, karriget, monitorët, kamerat, internetin dhe rrjetet kompiuterike që do të rivendosen aty për të ofruar transparencë për të gjithë. Po ashtu, një grup i posaçëm do të punojë për të veçuar në magazinë kutitë e Tiranës, dhe për t’i sjellë për rinumërim sipas një rendi të caktuar e të sigurtë. Të gjitha këto përgatitje, do të kërkojnë të paktën 10 ditë kohë. I gjithë ky proces sfidues, shoqërohet edhe me një faturë financiare, të cilën KQZ nuk e ka të qartë në këtë moment.
Hapja e të gjitha kutive të Tiranës, do të thotë rinumërim i 1/3 së votave të të gjithë Shqipërisë. Nisja e saj pas 10 ditësh, shto edhe kohën për numërim nga e parë dhe sa do të duhet më tutje edhe në Kolegj Zgjedhor, e zvarrit shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve deri në mes të verës. Ky proces nuk u miratua nga të gjithë anëtarët e KAS, por vetëm nga dy anëtarët e PD-së në të, Ledio Braho dhe Elvis Çefa. /Ballkan Web