Anulohen HEC-et ne Theth. U shkelen kontratat koncesionare
Në letrën që Ministria e Energjetikës i dërgon koncesionarit mbi lumin Shalë, jepen arsyet e prishjes së njëanshme të marrëveshjes, duke konstatuar shkeljet që janë bërë.
Këto shkelje kanë të bëjnë me mungesën e raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, skemës së shfrytëzimit hidroenergjetik, raportet hidroenergjetike dhe hidroteknike, si dhe ato të planit të biznesit.Shoqëria është njoftuar disa herë për të plotësuar dokumentacionin e munguar në projektin e zbatimit të dorëzuar formalisht, por nuk e ka kryer. Një tjetër shkelje, sipas Ministrisë së Energjisë, është mosrinovimi i Sigurimit të Kontratës nga koncesionari brenda afatit të përcaktuar.
Por ndërtimi i HEC-eve në Theth është kundërshtuar edhe nga shoqëria civile, pasi ndërtimi i tyre do të shkatërronte turizmin në këtë zonë, e cila vitet e fundit po pret shumë vizitorë, veçanërisht të huaj. Në projekt ishte parashikuar ndërtimi i 6 hidrocentraleve me fuqi të instaluar 127 megavat dhe prodhim vjetor të energjisë prej 530 mijë megavat.