Secondary Adv

Kredia për ndërmarrjet shtetërore i është kthyer rritjes në pjesën e parë të këtij viti

Kredia për ndërmarrjet shtetërore i është kthyer rritjes në muajt e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit prill, vlera totale e portofolit për ndërmarrjet publike arriti në 20.9 miliardë lekë, në rritje me 10% krahasuar me fundin e vitit të kaluar dhe me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Kredia për ndërmarrjet shtetërore vazhdon të dominohet nga portofoli i ndërmarrjeve të sektorit energjetik, që përbën afërsisht 92% të portofolit total të huasë së ndërmarrjeve publike, për një vlerë totale prej 19.25 miliardë lekësh. Rritja në pjesën e parë të këtij viti ka ardhur pikërisht nga sektori i energjisë.

 

Pak më shumë se 7% e portofolit është kredi për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, kryesisht ndërmarrja e Tiranës. Pjesa e sektorëve të tjerë në huanë e ndërmarrjeve publike është në vlera shumë të ulëta.

 

Huamarrja e ndërmarrjeve shtetërore pranë bankave tregtare është përqendruar historikisht nga kreditë e kompanive të sektorit energjetik, kryesisht Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe ndërmarrjeve të grupit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë.

 

Në përgjithësi, kreditë kanë pasur si qëllim kryesor blerjen e energjisë elektrike nga importi. Këto kredi janë të siguruara me garanci sovrane nga qeveria shqiptare.

 

Sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Financave, në regjistrin e borxhit publik, në fund të tremujorit të tretë të këtij viti vlera e kredive të garantuara për kompanitë e sektorit energjetik ishte 11.1 miliardë lekë.

 

Kjo shumë përbëhet gjithsej nga tetë kredi, të marrë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, te Raiffeisen Bank, Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Albania dhe Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank). Kreditë në fjalë maturohen mes viteve 2025 dhe 2031.

 

Megjithatë, së shpejti pjesa më e madhe e këtyre kredive do të rifinancohen nëpërmjet një marrëveshjeje me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që ka miratuar një kredi prej 81.5 milionë eurosh për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Kredia do të garantohet nga qeveria shqiptare dhe do të përdoret për të rifinancuar overdraftet që OSHEE ka lidhur me bankat tregtare, duke mundësuar njëkohësisht edhe zgjatjen e afateve të tyre.

 

Projekti do të mundësojë ristrukturimin e bilancit të OSHEE-së, duke i mundësuar kompanisë financimin indirekt të investimeve që klasifikohen si të gjelbra.

 

Financimi i BERZH do të kushtëzohet nga plani për një program reformash korporative, i cili do të ketë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin, menaxhimin dhe eficiencën operacionale të OSHEE-së dhe, rrjedhimisht, sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri. / Monitor(https://monitor.al/kredia-per-ndermarrjet-shteterore-i-eshte-kthyer-rritjes-ne-pjesen-e-pare-te-ketij-viti/)


Më të lexuarat