ERE nis procedurat për licencimin e TEC-it privat, projekti 170 MW në Roskovec
Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për licencimin e shoqërisë “Fier Thermoelectric” në fushën e prodhimit të energjisë elektrike nga termocentrali.
Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për licencimin e shoqërisë “Fier Thermoelectric” në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga termocentrali, me kapacitet të instaluar 170 MW, me vendndodhje në Roskovec.
Vendimi për fillimin e procedurave u mor në mbledhjen e fundit të Entit, teksa palët e interesuara mund të shprehin opinionet dhe komentet e tyre me shkrim deri në datën 08.07.2025, pranë zyrave të ERE-s, ose në postën elektronike të institucionit.
Projekti për TEC-in e Roskovecit u miratua nga qeveria në dhjetor të vitit të kaluar, teksa impianti që do të përdorë gazin për pordhimin e energjisë elektrike do ketë një afat operimi 49 vjet. Sipas vendimit të qeverisë, TEC-i do të duhet të jetë në operim pas 3 vitesh, teksa kjo periudhë përfshin pajisjen me leje ndërtimi dhe ndërtimin e tij.
70% e aksioneve të shoqërisë propozuese “Fier Thermoelectric” zotërohen nga GEK TERNA, e krijuar nga bashkimi i 2 kompanive greke, që operojnë në fushën e ndërtimit. Ndërkohë që, 30% e aksioneve zotërohen nga kompania shqiptare “Gener 2”.
Sipas Raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, TEC-i do të jetë me cikël të kombinuar me gaz natyror, ndërkohë që furnizimi dhe burimi i gazit natyror është tashmë plotësisht i mbrojtur për shkak të marrëveshjes së nënshkruar, në shkurt 2022, midis GEK TERNA dhe Korporatës Publike të Gazit të Greqisë.
Sipas marrëveshjes, kjo e fundit do të furnizojë rreth 2 TW/vit gaz për një periudhë prej të paktën 7 vjetësh, e dorëzuar në Pikën e Ndërlidhjes ABV31 të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) në Roskovec, sipas kushteve te tregut dhe kontratës. Megjithatë, ky projekt është kundërshtuar nga banorët e zonës, për shkak të afërsisë me tokat bujqësore. / Scantv