Investimet e huaja në rritje, të mbështetura nga pasuritë e paluajtshme e fitimet e riinvestuara
Investimet e huaja direkte u rritën përsëri në tremujorin e parë të vitit 2025.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ato arritën vlerën e 354 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Investimet e huaja janë rritur me 2.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithëse investimet e huaja vazhdojnë të ruajnë një rritje të lehtë, kjo rritje tashmë po dominohet dukshëm nga fitimet e riinvestuara të ndërmarrjeve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, fitimet e riinvestuara arritën në 214 milionë euro, ose sa 59% e fluksit total të investimeve të huaja direkte. Ato u rritën me 2.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, injektimi i kapitaleve të reja kishte vlerën e 146 milionë eurove, me një rritje vjetore me 1.3%.
Rritja e investimeve të huaja në zërin e fitimeve të riinvestuara është gjithashtu e lidhur edhe me forcimin e Lekut në kursin e këmbimit. Duke qenë se fitimet e ndërmarrjeve me kapital të huaj sigurohen kryesisht në lekë, ndërsa bilanci i pagesave raportohet në Euro, rënia e kursit të këmbimit e rrit vlerën statistikore të fitimeve të riinvestuara.
Forcimi i Lekut ka krijuar një lloj rrethi vicioz, sepse rritja e investimeve të huaja shpjegon pjesërisht mbiçmimin e monedhës vendase, por njëkohësisht ky mbiçmim ndikon statistikisht edhe në rritjen e vlerës së investimeve të huaja.
Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të parë 2025, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 27%, sektorin e ndërmjetësimit financiar, në masën 21%, hidrokarbureve, në masën 14%,
energjetikës, në masën 6%, si dhe komunikacionit, në masën 4%.
Të dhënat e tremujorit të parë të vitit në vija të përgjithshme konfirmojnë tendencat e viteve të fundit. Investimet e huaja direkte po mbështeten sidomos nga sektori i pasurive të paluajtshme, por edhe vlerat e larta të fitimeve të riinvestuara në disa sektorë të ekonomisë. Këtu përfshihen sidomos sektori i industrisë nxjerrëse të hidrokarbureve dhe sektori financiar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë ato shënuan vlerën e 1.58 miliardë eurove, në rritje me 5.6% krahasuar me një vit më parë. Pasuritë e paluajtshme sollën pothuajse një të katërtën e vlerës totale të investimeve të huaja direkte për vitin e kaluar. Ato arritën në 325 milionë euro, në rritje me 17% më shumë krahasuar me vitin 2022. / Monitor(https://monitor.al/investimet-e-huaja-perseri-ne-rritje-te-mbeshtetura-nga-pasurite-e-paluajtshme-dhe-fitimet-e-riinvestuara/)