Kreditë me probleme, të qëndrueshme pranë nivelit 4 për qind dhe për prillin
Raporti i kredive me probleme ishte i qëndrueshëm edhe për muajin prill.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues shënoi nivelin 4.03%, me një rritje shumë të lehtë nga niveli prej 4.02% i muajit mars.
Ndërkohë, raporti i kredive me probleme vijon rënien edhe me bazë vjetore, me 0.79 pikë përqindje më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në vlerë, kreditë e këqija vlerësohen në rreth 35 miliardë lekë, nga rreth 37.2 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia e raportit të kredive me probleme është mbështetur nga rritja e kënaqshme ekonomike në vitet e fundit dhe një ecuri e mirë e bilanceve të sektorit privat. Gjithashtu, ulja e raportit të kredive me probleme vazhdon të mbështetet edhe në rritjen me ritme dyshifrore të vlerës së portofolit total.
Kreditimi i ekonomisë po vazhdon të rritet me ritme të shpejta edhe në muajt e parë të këtij viti. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit prill, portofoli total arriti vlerën e afërsisht 872 miliardë lekëve, në rritje me 13.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sektori bankar ka shfrytëzuar potencialet e krijuara nga cikli pozitiv i ekonomisë reale dhe nga gjendja e shëndetshme e bilanceve të veta. Në vitet pas pandemisë, sistemi bankar ka regjistruar përmirësim në treguesit e përfitueshmërisë dhe të cilësisë së aktiveve, që ka rritur edhe oreksin e bankave për rrezik.
Rritja e kredisë po mbështetet paralelisht tek huadhënia për bizneset dhe familjet. Në veçanti, kredia për pasuri të paluajtshme, në të dyja segmentet, vazhdon të regjistrojë ritme të larta të rritjes. Ndërkohë, një fenomen tjetër është edhe shtimi i ekspozimeve të mëdha në segmentin e korporatave.
Kredia po rritet me ritmet më të shpejta që prej vitit 2008 dhe Banka e Shqipërisë ka dhënë sinjalet e para se kjo rritje e shpejtë e kredisë mund të shtrojë rreziqe të shtuara për ruajtjen e cilësisë së portofolit në ardhmen. Një fenomen i tillë ndodhi pas vitit 2009, në vijim të një cikli disavjeçar të rritjes së shpejtë të kreditimit.
Vitin e kaluar, u vendos për herë të parë aplikimi i shtesave kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, ndërsa këtë vit u vendosën kufizime direkte të lidhura me kredinë për blerje banesash nga familjet.