Secondary Adv

IMT i konsideron të paligjshme, hiqen strukturat e jashtme të bizneseve në stadiumin Air Albania

Strukturat e jashtme të lokaleve dhe restoranteve rreth e qark Arenës së futbollit në kryeqytet, të hequra prej ditësh nuk do të rikthehen.

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, i cili ka urdhëruar largimin e tyre, i konsideron ato si të paligjshme.

 

Baret dhe restorantet rreth Arenës në Tiranë nuk kanë më çadra apo struktura të jashtme që prej vitesh funksionin si ambiente më vete, të izoluara dhe me ndarje xhami,  por vetëm karrige, ku mund të ulen klientët.

 

Me një vendim të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit i Bashkisë së Tiranës të datës 30 maj 2025, strukturat e jashtme të këtyre bizneseve janë hequr e cilësohen të paligjshme dhe nuk lejohet të vendosen sërish.

 

Menaxherë dhe pronarë të bareve dhe restoranteve shprehen se fillimisht, vendimin për heqjen e këtyre strukturave e kishin interpretuar si masë sigurie për shkak të zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Serbi. Por në ditët që pasuan përfundimin e ndeshjes, ata nuk u lejuan të rivendosin çadrat dhe elementë të tjerë në pjesën e jashtme të biznesit, as nga Policia Bashkiake dhe as nga IMT-ja.

 

Sipas tyre një vendim i tillë është i padrejtë dhe tepër i dëmshëm për bizneset që drejtojnë, ndërsa shpresojnë se mund të gjendet mirëkuptimi me strukturat përgjegjëse për të rikthyer edhe njëherë çadrat apo mbulesat në pjesën e jashtme të biznesit. /Shqiptarja


Më të lexuarat